Fehmi Mahalla ka treguar arsyet e dorëheqjes nga pozita e trajnerit të kombëtares së Kosovës në karate. Kampioni i Evropës në vitin 2005 në Tenerife të Spanjës, tha se duhet shumë më shumë punë për të arritur në nivelin e duhur. Ai ka deklaruar se krahas angazhimeve personale që ka, nuk i kanë pëlqyer edhe disa gjëra tjera. Ai tha se Kosova ka karateistë të mirë, por iu mungon përvoja. Ish - karateisti i kombëtares së Zvicrës ankohet edhe për disa gjëra të tjera.
“Bota sot”: Fehmi, pas disa viteve largohesh nga kombëtarja, dukej një dorëheqje e papritur?
Fehmi Mahalla: Pas disa vite vendosa të tërhiqem nga kombëtarja, nuk ka qenë edhe e papritur.
“Bota sot”: Cilat ishin arsyet?
Fehmi Mahalla: Ka disa arsye. Janë edhe arsyet personale, ku kam familjen dhe punën time, tani janë edhe disa organizime e rregulla që nuk më përshtaten mu.
“Bota sot”: Cilat janë disa nga organizimet dhe rregullat që nuk i duruat?
Fehmi Mahalla: Organizimet janë: Çdo përgatitje që bëhet më kombëtare, janë sa herë në javën e fundit dhe para një kampionati, kurse kjo duhet prej fillim vitit. E dyta, nuk mundem me qenë trajner i kombëtares dhe mi mbajt ushtrimet e me shfrytëzuar pushimet. Nuk ecet para me një ushtrim tanë vitit. Tani edhe disa garues të moshat e reja nuk po i njoh, se nuk kemi pas ushtrime me ta.
“Bota sot”: Çfarë pa për këto vite në Kosovë, kemi gjeneratë të mirë apo duhet shumë punë?
Fehmi Mahalla: Punë duhet si gjithçka. Garues ka në Kosovë, po përvojë disa kanë pak, kjo iu kushton në gara me garuesit tjerë, kur ata janë të gatshëm.
“Bota sot”: A ka pasur kushte për punë apo çfarë iu ka munguar më shumë?
Fehmi Mahalla: Kushtet janë, sallën e kemi pas të sigurt, tani koha ka munguar për mi pa çka duhet me u përmirësuar disa garues, me ju treguar secilit pse kjo bën e ashtu nuk bën, që me kuptuar jo veç me demonstruar.
“Bota sot”: A ka profesionist, pra trajnerë te karatesë në Kosovë?
Fehmi Mahalla: Kosova ka trajner, nuk është që nuk ka dhe e respektoj punën që bëjnë me ta, pasi e dimë si kanë qenë kushtet në Kosovë, nuk kanë mundur me dalë jashtë, disave ju mungon pak përvoja dhe strategjia e disa shteteve tjera. Kisha pasur dëshirë të përshëndes të gjithë garuesit dhe trajnerët e Kosovës, nuk kam pasur kurrë ndonjë të keqe me asnjë, respekt për të gjithë.
“Bota sot”: Karateja pretendon Olimpiadën - “Tokyo 2020”, ka garues?
Fehmi Mahalla: Garues siç thash janë disa, tash puna e tregon të veten, por nuk është lehtë, se gjithë garuesit e botës janë duke ushtruar 100 për qind për mu kualifikuar.