Pas polemikave në distancë, Mourinho dhe Conte ‘zbresin në fushë’

Sporti

Pas polemikave në distancë, Mourinho dhe Conte ‘zbresin në fushë’

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 10:07
Mourinho dhe Conte

Vetëm një ditë përpara duelit drithërues Manchester United – Chelsea, Jose Mourinho premtoi një periudhë të mrekullueshme për “djajtë e kuq”, që do të kenë 4 nga 5 impenjimet e radhës në të gjithë kompeticionet, pikërisht në “Old Trafford”. Me kampionët në fuqi vetëm 3 pikë më poshtë në klasifikimin e përgjithshëm, United luan gjithë sezonin në 3 javët e ardhshme, ku përveç “bluve”, klubi nga Manchesteri do të presë gjithashtu edhe Liverpulin në Premiership, Sevillan në Champions si dhe Brightonin në FA Cup, ndërsa të vetmen ndeshje jashtë fushe gjatë kësaj kohe, “Red devils” do ta kenë më 5 mars, me një “monday night” vërtet të veçantë në Londër, ndaj një kundërshtari si Crystal Palace.

Në Angli skuadrat bëhen gati për të hyrë në çerekun e fundit të kampionatit dhe një përballje si United – Chelsea pritet të influencojë ndjeshëm edhe në tabelën e renditjes, me ekipin e Antonio Conte-s që ndoshta luan shanset e fundit për të kapur “djajtë e kuq”, duke pasur parasysh kalendarin tepër të vështirë në horizont, që ofron për klubin londinez plot 4 nga 5 takimet e radhës larg stadiumit ‘Stamford Bridge’. Që kur trajneri puljez ka vënë këmbë në ishull si timonieri i Chelsea-t, në këtë duel është respektuar gjithmonë faktori fushë, sidoqoftë pavarësisht ambientit tepër të elektrizuar që ofron si zakonisht “Teatri i Ëndrrave”, blutë e Londrës përbëjnë një ndër kundërshtarët më të vështirë të 5 viteve të fundit për Manchester United.

Ashtu siç edhe pati premtuar trajneri Conte, Chelsea të paktën për momentin duket se e ka hedhur pas krahëve periudhën e vështirë, madje Barça ishte me shumë shumë fat që doli nga ‘Stamford Bridge’ me atë barazim me gola. Besnik i filozofisë së tij, 48-vjeçari nga Lecce do të përqendrohet përsëri në po të njëjtët futbollistë, kështu që lodhja e mesjavës mund të ndihet. Edhe trajneri luzitan në krahun tjetër i beson një numri të reduktuar lojtarësh, por gjithsesi këtë radhë Jose Mourinho ka privilegjin për të zgjedhur, duke marrë parasysh faktin që në Andaluzi, 55-vjeçari nga Setubali la në stol gjysmën e skuadrës.

Mënyra e përzgjedhur në mesjavë mund të mjaftojë për një skuadër si Sevilla, të cilën sidoqoftë Mourinho e la për herë të parë pas plot 13 vjetësh pa shënuar në ‘Ramon Sanchez Pizjuan’, në Kupat e Evropës, megjithëse edhe në Andaluzi rezultati duhet marrë me rezerva, nëse nuk do të ishte për pritjet fenomenale të portierit De Gea, por gjithsesi këtë radhë United pritet të ndryshojë shumë dhe të ofrojë një futboll tepër ofensiv, pak a shumë si edhe sezonin e kaluar, kur e gjeti krejtësisht të papërgatitur trajnerin e Chelsea-t, deri në atë pikë sa për të shtrënguar Conte-n të kërkojë falje për zgjedhjet e gabuara që i kushtuan ndeshjen.

Ndeshja këtë herë do të luhet në orën 15:05 dhe kurioziteti për të parë formacionin e Mourinho-s është vërtet shumë i madh, sidomos pas fërkimeve të trajnerit portugez me mesfushorin rebel francez Paul Pogba, që mbetet gjithsesi blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit, ku influencon padyshim edhe xhelozia që ka ngjallur Alexis Sanchez, deri në atë pikë sa për ta bërë futbollistin kilian absolutisht lojtarin më të paguar te United, sidoqoftë pavarësisht formës së vendasve, dëmtimeve të shumta, problemeve apo gjithçkaje tjetër, misioni për miqtë mbetet pothuajse i pamundur, nëse merret parasysh fakti që në “Teatrin e Ëndrrave” Mourinho-n në 32 ndeshjet e zhvilluara deri tani, e ka thyer vetëm City i Guardiolës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat