200 mijë euro për infrastrukturën sportive në Shtime

Sporti

200 mijë euro për infrastrukturën sportive në Shtime

Më: 17 prill 2018 Në ora: 16:12
Kujtim Gashi dhe Naim Ismajli

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot komunën e Shtimes me që rast ka nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi me kryetarin e komunës së Shtimes, Naim Ismajli, investim i cili kap shifrën 200 mijë euro.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi u zotua se në një afat rekord do e përfundojnë palestrën sportive në Shtime e cila nuk ka përfunduar për shkak të neglizhencës së MKRS-së së kaluar.

Gashi: Në afat rekord do e përfundojmë palestrën sportive

“Është fjala për palestrën sportive, fazën e fundit përmbylljen e këtij projekti i cili ka zgjatur 9 vite-10 vite sigurisht që është një problem i trashëguar jo për fajin e komunës, por ndoshta edhe për  një neglizhencë të Ministrisë Kulturës në të kaluarën. Kështu jemi të zotuar dhe të përkushtuar që ta përmbyllin këtë projekt në një afat rekord në mënyrë që qytetarëve të Shtimes, sportdashësve dhe sportistëve t’ia dhurojmë një ambient të bukur për të zhvilluar edhe lojëra edhe gara të ndryshme”, tha Gashi.

Gashi gjatë vizitës në Shtime  ka nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e një fushe futbolli në këtë komunë.

Gashi: Memorandumi i dytë ka të bëjë me ndërtimin e një fushe të futbollit

“Fjala është për një projekt të përbashkët, një pjesë do e  financojmë ne si Ministri e Kulturës, pjesën tjetër do e financojë komuna e Shtimes. Për këto dy projekte vlera totale e mbështetjes nga Ministria e Kulturës e kalon vlerën 200 mijë euro dhe besoj që ky është një përkushtim dhe zotim i yni për rregulluar infrastrukturën sportive”, tha ai.

Gashi  tha se me kryeartin e Shtimes, Naim Ismajli janë dakorduar që pas rishikimit të buxhetit të ndërtojnë edhe një objekt të qendrës rinore në këtë komunë.

Ministri i Kulturës është shprehur i gatshëm që të vazhdoj përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe rinore në Shtime.

Kurse, i pari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli tha se memorandumet e nënshkruara sot me MKRS-në kanë qëllim funksionalizimin e palestrës sportive dhe stadiumin në Shtime.

Ismajli: Nënshkruam dy memorandume mirëkuptimi

“Natyra e takimit ishte edhe nënshkrimi i dy memorandumeve të mirëkuptimit. E para ka të bëjë me finalizimin e të gjitha punëve në palestrën e sportit në komunën e Shtimes, ndërsa memorandumi i dytë ishte i fokusuar në funksionalitetin e plotë të stadiumit të qytetit, duke përfshirë këtu stadiumin me sintetik...Në emër të qytetarëve të komunës së Shtimes falënderoj ministrin Gashi për gatishmërinë që ka që sa më shpejt t’i përfundojmë projektet të cilat janë për qytetarët e posaçërisht për rinin”, tha Ismajli.

Sipas tij bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojnë edhe më tej me fokus më të madh për shkak të interesit të banorëve të Shtimes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat