Spanja e pranon me zhgënjim të madh vendimin për heqjen e organizimit të evropianit U-23, shkaku i Kosovës

Sporti

Spanja e pranon me zhgënjim të madh vendimin për heqjen e organizimit të evropianit U-23, shkaku i Kosovës

Më: 25 prill 2018 Në ora: 17:20
Pamje nga një shkrim spanjoll

Federata e Peshëngritjes së Spanjës e ka pranuar me zhgënjim të madh vendimin e Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF) për heqjen e të drejtës së organizimit të Kampionatit Evropian U-23 në peshëngritje, për shkak të mos garantimit të dhënies së vizave për peshëngritësit të kombëtares së Kosovës.

Spanja nuk e njeh Pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe pasaportat e saj dhe për këtë, qeveria spanjolle nuk mundi të japë një garancion për EWF-në, nëse do t’ua mundësonte pjesëmarrjen garuesve tanë.

“Arkëtari i EWF-së (Astrit Hasani, kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës) është kosovar, kurse babai i tij (Besim Hasani) është president i Komitetit Olimpik të Kosovës, pa ta nuk do të bëhej kjo zhurmë, ata (Kosova) kanë të drejtë të marrin pjesë, por nuk kanë nivel për këtë kampionat”, ka thënë Constantino Iglesias, president i Federatës së Peshëngritjes së Spanjës për “Elmundo.es”.

Dy muaj më vonë, në qershor, Kosova do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018, që mbahen në Kataluni, për të cilat Iglesias thotë se është çështje tjetër.

“Është ndryshe, sepse prapa kësaj qëndron Komiteti Olimpik Ndërkombëtar”, thekson Iglesias, i cili do të kërkojë kompenzim për gjithë punën e bërë.

Nënpresidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, spanjolli Emilio Estarlik, theksoi se: “Kur Spanja kishte shpallur kandidaturën për organizimin e evropianit, nuk kishte pasur kushte të tilla nëse Kosova ose Gjibraltari do të marrin pjesë, ne menduam se Federata Evropiane do ta merrte parasysh këtë, ose Kosova nuk do të merrte pjesë, pasi nuk kanë garues elitar, por ata e bënë dhe donin të merrnin pjesë”.

Eskarlik, duke shprehur keqardhje që qeveria spanjolle nuk kishte kthyer përgjigje në letër garancionin e kërkuar nga EËF-ja, pyet se a do të jetë në gjendje Spanja të organizojë kampionate evropiane apo botërore nëse Kosova merr pjesë?, thuhet në shkrimin e gazetës spanjolle.

El Mundo pyet se çfarë do të ndodhte nëse Kosova do të ndodhet në një grup kualifikues me Spanjën për EURO 2020 në futboll dhe a do të luanin lojtarët e trajnerit Julen Lopetegui kundër ekipit të Kosovës. “Nuk do të doja të mendoja për këtë, betohem se nuk e di se si do ta zgjidhnim këtë”, reflekton Iglesias.

Kampionati Evropian U-23 në peshëngritje është zhvendosur nga Spanja në Poloni dhe do të mbahet në muajin tetor të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat