Nishevci: Serbia u frikësua nga kombëtarja e Kosovës

Sporti

Nishevci: Serbia u frikësua nga kombëtarja e Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 11 maj 2018 Në ora: 17:21
Pamje nga një garë e Herolind Nishevcit

Kombëtares së Kosovës nuk iu lejua të futet në territorin e Serbisë, për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të karatesë, që po mbahet në Novi Sad të Vojvodinës. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë mori vendim të turpshëm dhe me forca të mëdha të xhandarmërisë nuk kishte lejuar që Kosova të futet në Serbi. Ky ishte një vendim primitiv i palës serbe, duke i mohuar kombëtares tonë pjesëmarrjen në garën e nivelit më të lartë evropian.  Karateisti i kombëtares së Kosovës, Herolind Nishevci, tha se Serbia u frikësua shumë nga kombëtarja e Kosovës dhe bile ia kujton serbëve kur ua kishte mposhtur edhe garuesin më të mirë të tyre.

“Bota sot”: Kampionati Evropian po zhvillohet në Novi Sad, ndërsa Kosova nuk u lejua të marrë pjesë me vendim të Qeverisë së Serbisë, a është ky edhe një skandal i madh që po ndodh në shekullin 21?

Herolind Nishevci: Unë mendoj që me ndodhë kjo në shekullin 21 me sportistë, ku dihet që sporti është vetëm sport dhe politika duhet të jetë larg saj, mendoj që është fatkeqësia më e madhe.

“Bota sot”: Serbia iu frikësua shumë kombëtares së Kosovës, u pa edhe nga shkrimet që bënë disa nga mediat serbe. Pse gjithë ajo frikë?

Herolind Nishevci: Ne jemi një kombëtare shumë e re që kemi sjellë medalje nga Kampionatet Evropiane dhe Botërore dhe kur dihet që pikërisht Kampionati Evropian ka qenë në Serbi, unë kam qenë bashkë me shokë të mi favoritë kryesorë për medalje.

“Bota sot”: A do të ndikojë negativisht për ju dhe karateistët e Kosovës sidomos kur tash mblidhen edhe pikët olimpike për Lojërat Olimpike – “Tokio 2020”?

Herolind Nishevci: Kjo është një ndër shkaqet më kryesore pse na u dashtë me marrë pjesë edhe tash jemi shumë të hendikepuar për shkak pikëve olimpike.

 

“Bota sot”: A duhet në të ardhmen që si Federata Evropiane po ashtu edhe ajo botërore, që garat e nivelit të lartë mos të lejohen që të mbahen në vende ku bëhet diskriminimi apo ku ka racizëm?

Herolind Nishevci: Kosova ka marr pjesë edhe në Rusi me kombëtaren U-21 po ashtu edhe në Spanjë me U-21, mendoj që gjithë atyre shteteve që bëjnë kësi lloje të gjërave ta marrin dënimin më të madh edhe pse dihet se pala më e dëmtuar jemi ne.

“Bota sot”: Keni qenë edhe në qendër të vëmendjes në Serbi, prej karateistëve me potencial të madh,  kjo iu ka bërë edhe më të fortë?

Herolind Nishevci: Unë jam për momentin në ranglistën botërore, i 5-ti, ndërsa një muaj me parë kam mposhtur garuesin e shtetit serb që e kanë më të mirin që 10 vite dhe rezultatet e mia po ashtu edhe sukseset e mia kanë bërë që mediat serbe me shkruar për mu sepse kam qenë favoriti kryesor të marrë medalje në këtë kampionat.

“Bota sot”: A jeni të dëshpëruar që shkaku i politikës shoveniste të Serbisë iu mohua e drejta e pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian?

Herolind Nishevci: Normal që po, kur dihet çfarë përgatitje, çfarë motivi kemi pasur për të marrë pjesë dhe çfarë rëndësie ka Kampionati Evropian për një sportist.

“Bota sot”: Nuk iu lejuan të hyni në Serbi, është më shumë si hakmarrje për shkak që keni mposhtur serbin dhe nga frika se sërish do të dominoni?

Herolind Nishevci: Unë kam qenë favoriti kryesorë për medalje dhe isha i sigurt që do të merrja medalje, mendoj që ata kanë pasur njohuri për këtë.

“Bota sot”: Çfarë do të bëjë tash Herolindi, çka synon?

Herolind Nishevci: Është botërori në Spanjë në fund të tetorit, ku dihet që viti 2016 kam fituar medaljen e parë botërore dhe mendoj që edhe kësaj radhe ta rriti më shumë suksesin, të jemi në finale të botërorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat