Pas 10 vitesh zvarritje, pritet përfundimi i Palestrës së Rahovecit

Sporti

Pas 10 vitesh zvarritje, pritet përfundimi i Palestrës së Rahovecit

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 10:48
Rahovec

?Punimet e filluara para 10 vitesh për Palestrën e Sporteve në Rahovec, pritet që të përfundojnë në pjesën e fundit të këtij viti.

Kjo falë kontratës së nënshkruar sot nga kryetari i Komunës, Smajl Latifi, për fazën e fundit për ndërtimin e Palestrës së Sportit. Latifi në prani të drejtorëve të komunës dhe përfaqësuesve të firmës e cila ka fituar tenderin, ka nënshkruan kontratën me vlerë 628 mijë e 545 e 28 euro.

Ai ka thënë se deri ka fundi i muajit shtator palestra do të jetë e gatshme për zhvillimin e aktiviteve, përcjell KosovaPress.

Latifi: Asnjë Qeveri, asnjë Ministër i Kulturës nuk ka mrri me përfundu deri më tani këtë palestër

“Ky projekt ka nisur në vitin 2008, asnjë qeveri, asnjë ministër i kulturës nuk ka mrri me përfundu deri më tani këtë palestër, dhe ka ngec puna ka më shumë se dy vite, në mandatin tim të parë kam bërë presion aq sa kemi pas mundësi për të mos lejuar zvarritje të mëtutjeshme, mirëpo nuk kemi gjet përkrahje te ish-qeveria, ish-qeveritë, sigurisht presioni ka vazhdu edhe në mandatin e z.Vehapi, po s’ka gjetur përkrahje faza e tretë, ose edhe përfundimtare e palestrës. Në momentin kur e kam marrë besimin për herë të dytë nga qytetarët e Rahovecit një nga prioritetet e mia të larta ka qenë presion direkt për përfundimin e palestrës së sporteve në Rahovec”, u shpreh ai.

Latifi ka kërkuar nga operatori që këto punime te kryhen sipas dinamikes së përcaktuar të punës, ashtu që klubi i basketbollit Rahoveci në sezonin e ri t’i fillojë garat në këtë palestër.

Latifi: Deri ka fundi i shtatorit të këtij viti, ne palestrën do ta kemi gati

“Besojmë që deri ka fundi i shtatorit të këtij viti, ne palestrën do ta kemi gati për zhvillimin e aktiviteteve sportive në qytetin tonë. Unë besoj që ky lajm i gëzueshëm për të gjithë na krijon edhe neve emocione të veçanta, sepse vërtetë zvarritje të pakuptimta edhe vonesa 10 vjeçare, jo vetëm që ishin të paarsyeshme, po megjithëse populli thotë “më mirë vonë se kurrë”, qytetarët e Rahovecit tashmë janë të sigurt që palestra do të bëhet gati në fund të shtatorit dhe besoj që përfundimisht janë hequr dilemat se; a do të ndërtohet, kur do të ndërtohet, pse su ndërtu , pse u vonu. Unë kam besim edhe në operatorin, i cili besoj që do të jetë i përgjegjshëm në nivelin e detyrave, dhe besoj që do ta respektoj 100 për qind kontratën, rrjedhimisht edhe planin dinamik të punëve të parapara në kontratë, që janë 65 ditë pune”, u shpreh ai.

Ndërtimi i Palestrës në Rahovec është projektuar dhe financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat