Kosova si maskotë të saj do të ketë Qenin e Sharrit

Sporti

Kosova si maskotë të saj do të ketë Qenin e Sharrit

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 15:33
KOK

Është mbajtur të mërkurën pasdite mbledhja e 20-të e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), e cila nisi me një minutë heshtje në nderim të legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, i cili ishte nënpresident i KOK-ut.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, u nda nga jeta më 9 qershor 2018, pas një sulmi në zemër.

Më pas, Bordi Ekzekutiv shqyrtoi pika të ndryshme të rendit të ditës.

U diskutuan përgatitjet e fundit për Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018, derisa u vendos që flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të LM ta bartë karateisti, Herolind Nishevci. Në ceremoninë hapëse do të mungojë ekipi i xhudos, të cilët për shkak të orarit të garave do të udhëtojnë më vonë.

Po ashtu, u shqyrtuan edhe përgatitjet për Lojërat Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018, në të cilat Kosova është shumë afër normës së parë Olimpike me xhudisten, Erza Muminoviq. Edhe sportistë të sporteve të ndryshme, janë duke garuar në gara të ndryshme për të fituar normën Olimpike.

Një pikë e veçantë ishte maskota e Kosovës, të cilën e miratoi BE. KOK-u iu bashkua Komiteteve tjera Olimpike të Evropës dhe botës, të cilat identifikohen me maskotat e tyre.

Kosova si maskotë të saj do të ketë Qenin e Sharrit, i cili ndryshe njihet si qen autokton në Ilirinë antike. Në historinë e Ilirisë, Qeni i Sharrit është njohur me emrin Qeni Dardan.

BE diskutoi dhe mori vendime edhe për çështje tjera të Rendit të Ditës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat