Strugë, mbushen dhe gjallërohen plazhet me pushues

Struga

Strugë, mbushen dhe gjallërohen plazhet me pushues

Më: 1 gusht 2016 Në ora: 18:32
Struga

Sezoni turistik është në kulmin e vet. Ashtu siç edhe pritej, që gjatë  javës së parë të gushtit, falë  dhe kohës që po mbretëron ditëve të fundit, numër mjaft  i madh mysafirësh t’ia mësyen plazheve të Strugës,  buzë Liqenit të Ohrit, njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA.

Tani, situata, për dallim nga një periudhë e kaluar, është krejtësisht ndryshe. Pushuesit mbushin plazhet dhe rrugët e qytetit, gjë që patjetër reflektohet dhe  ndihet një gjallëri e theksuar nëpër qytet.

Plazhet e Strugës, në të shumtën e rasteve kanë filluar të mbushen me pushues nga të gjitha qytetet e Maqedonisë, por ka edhe prej Kosovës dhe Shqipërisë, duke mos përjashtuar bashkëatdhetarët  nga vendet veriperëndimore. Kështu së paku mund të vlerësohet gjendja aktuale, në sajë të pamjeve dhe imazheve nga plazhi gjatë ditës së sotme, por duke iu referuar edhe targave të veturave dhe furgonëve që kanë sjellë pushues në Strugë, që kanë mbushur përplot plazhet, ndërsa autoveturat kanë stërmbushur  dhe parkingjet.

Mbase, kësaj në masë të madhe i ndihmon edhe situata sinoptike, që është nën ndikimin kryesisht të  një anticiklone të shoqëruar me temperature edhe tropikale, dhe shpëtimin nga vapa kërkohet duke u freskuar në ujërat e Liqenit të Ohrit. Për sa i përket numrit të mysafirëve, që aktualisht  pushojnë në Strugë, edhe më tej mbetët “në fuqi” pamundësia që  të saktësohet numri i tyre, nga fakti se mungon një evidencë  e saktë për numrin e pushuesve, qofshin ata nga vendi, qofshin ata nga vendet tjera.

Madje madje,  për mysafirët nga vendet tjera, sidomos ata të huaj, është më lehtë të saktësohet numri, në saje të paraqitjes së detyrueshme të qëndrimit të shtetasve të huaj, në pajtim me dispozitat e Ligjit mbi qëndrimin dhe lëvizjen e shtetasve të huaj, por as kjo nuk është saktësuar. Vetëm hotelet që bëjnë paraqitjen e duhur është edhe e vetmja evidencë e mysafirëve.

Tani, koha është përmirësuar dhe pritet që kjo kohë të vazhdojë nën ndikimin e temperaturave  të një shkalle më të lartë, madje  edhe të padurueshme dhe të papërballueshme, por të kënaqshme për të bërë plazhin e planifikuar. Kjo ka ndikuar që plazhet dhe rrugët e qytetit të reflektojnë me një gjallëri së bashku me qytetarët-banorët vendas.

Pos tjerash, pritet që si  zakonisht, numri i mysafirëve dhe pushuesve  dita ditës të rritet, sidomos  nga vala  që fillon në fundjavë, të premteve, gjatë vikendit, që dukshëm e rritë numrin e pushuesve qofshin ata  ditor, qoftë të atyre sistemor, të cilët kanë planifikuar që pushimet ti kalojnë pikërisht në Strugë.

Kjo gjendje momentale, jep shpresë se sezoni turistik sado pak do të shpëtojë, do të ëmbëlsojë dhe do të përmirësojë gjendjen e palakmueshme të turizmit në Strugë, që është një nga degët më fitimprurëse në ekonominë e Strugës.

Vlen të theksohet se edhe higjijena e qytetit bashkë me plazhet janë në nivel të lakmueshëm, falë angazhimit të NP për mirëmbajtjen e higjijenës së qytetit, gjë për të cilën turistët dhe pushuesit kanë vetëm fjalë të mira.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat