Spitali i Strugës i lënë në harresë

Struga

Spitali i Strugës i lënë në harresë

Më: 19 mars 2017 Në ora: 14:34
ilustrim

Tashmë disa vite, dy spitalet e Strugës në Maqedoni, spitali i përgjithshëm i qytetit dhe Qendra për Dializë nuk janë pajisur me asnjë aparat të ri nga shteti, ankohen këto dy institucione shëndetësore.

Nga ana tjetër, shteti paralajmëron investime prej 5.5 milion euro në pajisje mjekësore dhe jo mjekësore për spitalin e specializuar për ortopedi dhe traumatologji “Shën Erazmo në Ohër”. Ky spital do të pajiset me 515 mjete mjekësore dhe mobilje të reja, ndërsa objekti do të riparohet tërësisht.

Edhe spitali i qytetit të Strugës ka nevojë për pajisje të re. Drejtuesit e tij kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dy aparate eho, dy aparate për anesteziologji, EKG, defibrilatorë e tj.

“Kohëve të fundit nuk kanë sjellë ndonjë aparat nga Ministria e Shëndetësisë. Është koha e fundit kur shteti gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë më seriozisht duhet të interesohet për spitalin e përgjithshëm në Strugë si në pjesën e infrastrukturës ashtu edhe në pajisjen dhe aparaturën e re”, tha Mentor Ibraimi, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Strugë.

Krahas aparaturës mjekësore, Qendra për Dializë që është ndërtuar në vitin 1985, ka nevojë për riparim urgjent pasi edhe më tej pikon çatia e objektit. Viteve të fundit, me ndihmën e donatorëve privat janë riparuar një pjesë e hapësirave të spitalit, ndërsa me mjete personale është blerë një ulëse endoskopike urologjike. Pamja është e ngjashme edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës i cili po shembet edhe krahas faktit që pranon pacientë jo vetëm nga Struga, por nga rajoni dhe më gjerë. Para disa viteve në Ohër u ndërtua spital i ri i qytetit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat