SHATK: Sabedin Shahiqi po iu nënshtrohet presioneve politike të zyrtarëve komunalë të Gjilanit

Teatri

SHATK: Sabedin Shahiqi po iu nënshtrohet presioneve politike të zyrtarëve komunalë të Gjilanit

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 12:37
Teatri i qytetit

Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet rreth Konkursit Publik për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm në Teatrin e Gjilanit, të cilat, përkundër intervistimit dhe vlerësimit të të gjithë kandidatëve konkurues nga Këshilli Drejtues i këtij teatri, për shkak të ndërhyrjeve dhe presioneve të natyrës politike nga Komuna e Gjilanit, tashmë kanë shkaktuar shqetësim dhe reagim të ligjshëm të komunitetit artistik. Në të vërtetë, Teatri i Gjilanit, që prej disa vitesh, vazhdon të jetë viktimë e ndërhyrjeve të paskrupullta politike, falë të cilave, nga një institucion artistik me integritet, identitet dhe fizionomi të përcaktuar, tashmë është katandisur në një teatër jofunksional dhe me probleme të shumta.

Bordi Ekzekutiv i SHATK-së reagon ashpër ndaj veprimeve joparimore të Kryetarit të Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjilanit, z. Sabedin Shahiqi, i cili, duke iu nënshtruar presioneve politike të zyrtarëve komunalë, me deklaratat dhe qëndrimet e tij kontradiktore, po përpiqet ta manipulojë, ta zhvlerësojë dhe ta imponojë ecurinë përmbyllëse të Konkursit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit të Gjilanit. Përpjekjet dhe qëndrimet e këtilla janë në kundërshtim të hapur me Ligjin për Teatrot dhe me rolin dhe përgjegjësitë e përcaktuara të Këshillit Drejtues të Teatrit dhe, si të tilla, e cenojnë dhe e dëmtojnë rëndë interesin e përgjithshëm të Teatrit të Gjilanit dhe të artistëve të këtij teatri.

Bordi Ekzekutiv i SHATK-së fton Këshillin Drejtues të Teatrit të Gjilanit që, në përputhje me rolin, përgjegjësitë dhe mandatin e tij ligjor (Neni 10, Pika 1.7), si dhe me rezultatet për vlerësimin e kandidatëve, të publikojë menjëherë rezultatet e Konkursit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit të Gjilanit, të bëjë shpalljen e kandidatit të përzgjedhur për këtë detyrë të rëndësishme drejtuese të këtij teatri, si dhe që, në përputhje me Ligjin për Teatrot (Neni 13, Pika 7), të bëjë emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm. Mungesa e transparencës dhe përpjekjet individuale për zhvlerësimin e rezultateve tashmë të njohura do të nxisin reagimin dhe veprimin e komunitetit artistik në mbrojtje të ligjshmërisë dhe të respektimit të procesit demokratik për zgjedhjen e drejtuesve të këtij institucioni.

Bordi Ekzekutiv i SHATK-së fton Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, që, duke respektuar Ligjin për Teatrot, ta pranojë vendimin e Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjilanit për zgjedhjen e kandidatit Erson Zymberi si Drejtor i Përgjithshëm i këtij teatri.

Çdo shpërfillje eventuale e rezultateve apo përpjekje për politizimin e këtij procesi të ligjshëm është shkelje e rëndë e Ligjit për Teatrot, cenim flagrant i normave elementare demokratike dhe nëpërkëmbje e qëllimshme e interesit të përgjithshëm të artistëve. Politika dhe politikanët duhet të qëndrojnë larg teatrit, ndërkaq Komuna e Gjilanit, me kapacitetet e saj buxhetore dhe me politikat e saj kulturore, duhet ta mbështesë zhvillimin dhe konsolidimin e plotë profesional të Teatrit të Gjilanit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat