Lulet mbi bajgën e gomarit

Teatri

Lulet mbi bajgën e gomarit

Nga: Sokol Plakolli Më: 14 shtator 2016 Në ora: 07:36
Sokol Plakolli

E kujt është hija e dorës së zezë, që po e ngulfat nga brenda Teatrin Kombëtar!? Të gjithë po e shohim hijen e kësaj dore shkatërruese por jo edhe dorën e cila po pret, qepë e arnon kostumin e teatrit që nga koha e sundimit të teatri nga miqtë e armiqve tanë të përbetuar. Po nga kush përbëhet kjo koloni brejtësish të cilët aspak nuk e duan njëri-tjetrin por qëndrojnë "të bashkuar" me qëllim që të jenë të sigurt në brejtjen e së bukurës,artit. Për të vetmin qëllim, ngopjen e epsheve të tyre pa zgjedhur mënyrë dhe formë!?

Më pat rastisur, para disa vitesh të jem i ulur thuajse para Teatrit Kombëtar në kafiterinë  "Teatro" duke pirë kafenë e mëngjesit me kolegë, kur një person i thjeshtë në dukje, kaloi pranë tavolinës tonë. Të gjithë u ngritën në këmbë... Vetëm pasi u bashkua me ne e kuptova se përballë kisha aktorin markant Bekim Fehmiu. Në bisedë e sipër. Pyetjes time adule "Përse nuk ke luajtur asnjë rol në Teatrin Kombëtar në gjuhën shqipe?", aktori i madh z. Fehmiu iu përgjigj, prerë, qartë dhe dhimbshëm: "Sepse ma pamundësuan".  E përse ta pamundësuan!?  "Sepse nuk pranova të bëhem si ta. Unë prodhoi nuk riprodukoi.Dy herë kam tentuar dhe që të dy herët ma pamundësuan. Kush!? Ishte pyetja ime e tretë edhe më naive sesa dy të parat. "Kolegët e mi" të cilët ishin dora e zgjatur e strukturave të atëhershme politike. Dhe filloi të rrëfej në detaj barrierat që i ishin krijuar gjatë realizimit të "Hamletit" dhe tentativës për të filluar së realizuari tekstin " Dervishi dhe vdekja". Barrierat e asaj kohe e kishin ngacmuar egon e artistit deri në atë shkallë sa ai në provën gjenerale të " Hamletit" në tempull kishte hyrë si i pa ftuar, pa e pyetur askënd e me përcjellje. Nuk hezitoi të rrëfej edhe takimin e tij pas luftës, me të njëjtit, në shkallët e KINO ABC. Madje ai na e pat treguar edhe me akt goditjen e tij "gendembaraj" prej artisti e akrobati plotë karizëm.

Po kush janë ata të cilët ia pa mundësuan Bekim Fehmiunt realizimin e Hamletit në Teatrin Kombëtar!? Janë e njëjta linjë politike, dikur dorë e zgjatur e pushtetit dhe shih për çudi pasardhësit e tyre edhe sot po e udhëheqin Teatrin Kombëtar. Pikërisht në kohën kur ka tendenca që Teatri Kombëtar të shndërrohet në "Teatër Multietnik". Çuditërisht të njëjtit, tash po thurin lavde për Bekimi Fehmiun dhe figurën e tij prej artisti internacional po e shfrytëzojnë si maskotë për qëllime të caktuara personale, politike. Sidoqë të jetë Bekim Fehmiu "ishte me fat" sepse u largua nga Kosova për t'u bërë vulë, ikonë e artit. Ai që mësë tepërmi humbi është, Teatri Kombëtar i Kosovësdhe arti Kosovar në përgjithësi. Humbi sepse mbeti pa Hamletin e Bekim Fehmiut. Mbeti në duart e brejtësve sot e asaj dite.

Në vazhdimësi meditoi rreth këtij takimi të pa planifikuar që pa dyshim për mua është ngjarje. Në vazhdimësi më përcjell hija e pikëpyetjes: A do të duhej që artisti të rezistonte!? A do të duhej ta mbronte Hamletin e tij!? Ai ishte i lindur për të qenë Hamlet. Pa dyshim se ai do ta fitonte betejën kundër brejtësve dhe e bukura, arti do të dominonte. Kjo do të ishte fitore e madhe e madhe për Teatrin Kombëtar dhe artin vendorë në përgjithësi, ngase do ta kishim në sirtar Hamletin e Bekim Fehmiut gjë që nuk është pak. Në anën tjetër me ose pa Hamletin e realizuar në Teatrin Kombëtar Bekim Fehmiu është  figurë markante. Ai ishte me fat sepse theu kufijtë, pushtoi botën. Ndërsa Teatri Kombëtar sot e asaj dite po vazhdon të mbetet i robëruar nga pseudo artistët provincial, që në fakt janë vartës të strukturave paralele politike. Bekim Fehmiu nuk u dëbua nga teatri për çështje politike, por kontradikta në të cilën ai hasi kishte të bëjë me këmbëngulësinë e tij që të realizonte një Hamlet origjinal dhe jo Hamlet ri produkt, përpunim ngase regjisori të njëjtin version e kishte inskenuar edhe diku tjetër dhe kjo për artistin ishe e pa pranueshme. Çfarë shembulli i përkryer i artistit unik! Veçantë  për "kohën tonë të ngjallme e shpirttrashë" kur ri produkti dhe plagjiatura, shpërblehen me çmime speciale madje edhe nga vet MKRS.

Është thuajse e pa mundur të mos bësh digresion si në logjikën e kronologjisë së këtij rrëfimi, ashtu në nivelin e figurave artistike që dallojnë diametralisht në mes vete, por që kanë një të përbashkët të gjithë mëtojnë të jenë artistë. Disa prej tyre sa i sheh  në petkun e artistit sa në petkun e politikanit, disa janë hiperaktiv, disa janë inaktiv dhe aktivizohen vetëm kur flitet për vende pune. Por, më të rrezikshmit prej tyre janë ata të cilët, hedhin gurin dhe fshehin dorën. Fatkeqësisht secilin duhet trajtuar nga prizma e artit sepse të gjithë kanë diploma universitare dhe shumica janë pjesë e kolonisë së brejtësve. E para dhe e fundit e gjithë kjo fatkeqësi e ka një emërues të përbashkët. Pseudo artistët pa kurrizorë që lejojnë ndikimin e politikës në kulturë. Pra artistët e larmë, të cilët rriten, zhvillohen dhe lulëzojnë si " Lulet mbi bajgën e gomarit".

Fatkeqësisht nga Hamleti i ndaluar i Bekim Fehmiut duhet të zbresim te "nifar Hamleti i shpërblyer, i nifar Bekim Lumit". Ky i fundit është i vetë shpallur disa herë radhazi regjisori më i mirë, herë nëpër disa festivale të disa mëhallëve të Evropës, herë në vetë mëhallën tonë të vockël. Së fundmi i graduar prapë nga vetja e tij, por tërthorazi nëpërmes MKRS-së dhe miqësive të fshehta me veprën e tij plagjiaturë. Në gjuhën Hamletiane këtë plandosje do ta krahasoja më së miri me fjalinë " Si zbrite nga ky mal i lartë majash te llumë e këtij pellgu!? A ke sy!? Ndjenja ke por ato ndjenja medoemos të janë mpirë e mplakur se vet marrëzia nuk lajthitet, kur digjet akulli si prush e bëhet rrufjanë e dëshirës arsyeja. O turp ku e ke skuqjen"!?

Përpos me çmime fallco,  Bekim Lumi është i pari i cili disa herë radhazi i "theu tabutë".

Është i pari i cili e solli në kasetë shfaqjen "MËSIMI" dhe e realizoi si plagjiaturë në teatrin Dodona ku me të njëjtën shfaqje u bë i famshëm nëpër festivale studentore dhe festivaleve të mahallave. Pas saj thuajse të gjitha shfaqjet tjera që i realizoi deri te kjo e fundit që është "Hamleti i çoroditur" thuajse të gjitha janë produkt i plagjiaturësapo ri produkt i versioneve të ndryshme që për bazë kanë plagjiaturën. Bekim Lumi është gjithashtu i pari i cili në Fakultetin e Arteve si ligjërues promovoi te studentët kopjimin e provimeve studentore nga interneti, pra mbolli dhe kultivoi plagjiaturën te gjenerata e reja. Prandaj edhe studentët e tij të zgjedhur akuzohen për plagjiaturë.

Epo, sa më i madh të jetë klani i plagjiatorëve aq me i sigurt është "bossi" i kësaj dukurie negative. Bekim Lumi është ai i cili në kohën kur ishte këshilltarë i ministrit me dekret i kthej teatrot e qyteteve në teatro provincial duke i larguar nga patronati i MKRS-së, duke i lënë kështu teatrot e qyteteve në mëshirën e komunave dhe komunarëve që nuk marrin erë nga arti. Ai është i pari që në vitin 2011 pasi nuk arriti dot, që përmes TKK të vizitoi Beogradin, bëri ç'bëri dhe ia mësyu Beogradit në mënyrë vetanake. Ky ishte hap i madh politik i veshur me kostum kulturorë.

Epo, "Kur ekzistonarsyeja nuk duhet pyetur për mënyrën". Po cila arsye se!? Dhe në bazë të cilave motive u realizua kjo vizitë!? Le të na e shpjegoj vet personi në fjalë. Kush pas kujt fshihet!? Kush ushtron funksione paralele!? Dhe e kujtështë hija e dorës së zezë e cila po e dirigjon aktualisht teatrin, në kohën kur po planifikohet shëndrrimi i Teatrit Kombëtar në Teatër "Multietnik". Pra kthimi i dramës serbe, paralelisht me dramën shqipe në TKK. Që mëton të jetë realiteti "suigeneris" i llojit të vet. Krejt kjo po ndodhë para syve tanë në kohën kur nga teatri po përzuren shfaqje me tematikë kombëtare për t'u sjellë në TKK shfaqje të larme të cilat fyejnë identitetin dhe simbolet tona kombëtare.

Kjo dorë e zezë e ka mbushur Teatrin Komëtar me brejtës të cilët pranojnë çdo lloj kushti, me të vetmin qëllim, të arrin të bëhen pjesë e kolonisë së brejtësve. Pra të sigurojnë një vend për veten e tyre. Në këtë atmosferë frakturat brenda TKK së sa vinë e po thellohen. Këtë mësë miri e tregon fakti se Teatri Kombëtar ka dy sindikata dhe udhëhiqet nga dy tabor që i ndajnë vendet e punës dhe projektet sipas apetiteve të tyre. Gjithsesi ekziston  edhe ajo pakica, e cila synon të ruajnë vlerat. Por është marramendës, shumëzimi i brejtësve të cilët janë vartësit e hijes së dorës së zezë, e cila po rrinë e maskuar dhe nga distanca po e dirigjon vallen famëkeqe që po luhet brenda institucionit më të lartë kulturorë të vendit pra TKK-së. Krejt  kjo llaçumi e përbërë nga pseudo artistë janë, "Lulet që vazhdojnë të rriten dhe lulëzojnë mbi bajgën e gomarit".

Autori është regjisor i teatrit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat