Hajrie Rondo rikthehet në skenë me komedinë “Tre dhëndurët”

Teatri

Hajrie Rondo rikthehet në skenë me komedinë “Tre dhëndurët”

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 16:19
Hajrie Rondo, në rolin e Tanës në Përrallë nga e kaluara

Këto ditë aktorja e njohur Hajrie Rondo i është rikthyer skenës teatrore. Ajo bashkë me artistët e tjerë po zhvillojnë provat në Teatrin e Metropolit në Tiranë, në drejtimin e regjisores Sonila Kapedani. Rondo do të interpretojë rolin e nënë Sanijes në komedinë e shkruar nga Dionis Bubani. 

Në komedi shfaqen një varg karakteresh e situatash shqiptare, ku një hall i thjeshtë familjar si martesa e vajzës së vetme vihet në qendër të vëmendjes, por problemet sociale që vijnë nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore bëhen pengesë. 

Sanija është roli i dytë i aktores në një hark kohor prej dy vitesh pas përjetimit të një sëmundjeje të rëndë që e largoi për pak kohë nga skena. Aktorja Hajrie Rondo deri më sot ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe mbi 20 role në filma. Aktores për karrierën e saj i është dhënë titulli “Mjeshtre e Madhe”. 

Komedia “Tre dhëndurët” do të jetë premierë në skenën e Teatrit të Metropolit. 

Harije Rondo është një nga artistet më të njohura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Roli që ka mbetur më i gjallë në mendjen e publikut, është “Tana”, nëna e Gjinos në filmin “Përrallë nga e kaluara”.

Rondo u rikthye në skenën e teatrit në vitin 2015, pas katër vitesh mungesë “Seks vetëm për festa” me skenar dhe regji nga Leka Bungo. Premiera “Tre dhëndurët” pritet të ngjiten në skenë gjatë muajit tetor. Në rolet e tjera do të luajnë aktorët Gëzim Rudi. Pjerin Vlashi, Aleksandër Kondi, Lindar Kraja, Roerd Toçe, Marget Caushi, Linda Jarani, si dhe Elona Hyseni.

Kjo komedi e Bubanit është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1985. Shkrimtari dhe dramaturgu Dionis Bubani është ndarë nga jeta më 10 shkurt të vitit 2006.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat