Skena e përbashkët e trevave shqiptare

Teatri

Skena e përbashkët e trevave shqiptare

Më: 5 nëntor 2017 Në ora: 08:42
Shfaqje

Mbrëmë u mbyll në Dibër të Madhe të Maqedonisë Festivali i Teatrit Shqiptar, edicioni i 16 – të. Kjo mrekulli ndodhi këtu, kur aty, për herë të parë, u ngjitën në skenë artistë të teatrit nga të gjitha trevat shqiptare. Artisti – patriot Ylber Nuredini, kishte shumë vite që luftonte me zell të pazakontë, që në këto kohë të vështira ta bënte festivalin e Dibrës edhe një “vatër zjarri” te shqiptarizmës, nga ku e njëjta skenë të buronte vitaliteti e i të njëjtit popull, i fjalës dhe të bëmave, i veprimeve, ngjarjeve, ëndrrave e realizimit të tyre nëpër troje të ndara padrejtësisht… Po, nëse politikanët nuk e gjejnë shpesh “gjuhën e përbashkët”, ja ku artistët dalin parësor, në këtë shprehje të ndërgjegjes kombëtare që vlon në zemër të çdo shqiptari.

Nga ky manifestim artistik i përbashkët i aktorëve nga Ulqini, Shkodra, Gjilani, Presheva, Podujeva e Dibra e Madhe, u shkëmbyen vlera të eksperiencës sonë teatrore, të përvojës së përbashkët, si edhe të asaj bashkëkohëse botërore, por, mbi të gjitha, u fol shqipja në një gjuhë të bukur letrare.

Skena e teatrit është si një kudhër e nxehtë për farkëtimin e gjuhës së popullit, sipas standardeve më të larta të kulturës e ndërgjegjes së kombit. Në të njejtën kohë, nga shfaqjet e ndryshme u përcollën mesazhe të rëndësishme që kanë të bëjnë me historinë e kombit tonë, me rezistencën, përpjekjet për liri e pavarësi, për humbjet e fitoret, si edhe për çështje sociale të shoqërisë, për probleme etiko-morale etj.

Teatri, kurdoherë i dashur dhe i preferuar për të gjitha shtresat e shoqërisë, ka të bëjë me shpirtin njerëzor dhe ndikon ca më tepër se fjalimet e zyrtarëve dhe të politikanëve. Ata do të vijnë e do të ikin në krye të vendit, të një qyteti a zyre, sado të rëndësishme që të jenë ato.

Po teatri e artistët që e bëjnë atë, kanë mbetur e do të mbeten gjithmonë e kurdoherë aty, në rrafshin e skenës, mes dashurisë së publikut, të respektuar përherë prej tyre, shkruan shekulli. Këtë rrëfeu edhe ky festival teatror, ku politikë-bërësit qenë spektatorët më të ftohtë, jo thjeshtë si mbështetës, po edhe si shikues të zakonshëm, duke e braktisur atë e duke lënë një shije të hidhur…Në të njejtën kohë kur njerëzit e thjeshtë qëndronin dy orë në këmbë midis rreshtave të një salle të akullt!

Ndofta, për këtë arsye edhe repertori, këtë herë paksa më i varfër, kërkonte përkushtimin e potencialin maksimal të artistëve-qytetarë si Ylber Nuredini (Dibër), Bruno Shllaku (Shkodër), Munib Abazi (Ulqin), Agron Gërguri (Podujevë), Afeida Boriçi (Preshevë), Nehat Mehmeti (Tetovë) etj. qe teatri të jetojë ende këtyre anëve.

Dhe është njëri prej festivaleve më prestigjioz të trevave shqiptare, ndonëse i pa institucionalizuar akoma e pa gëzuar përkrahjen e duhur, aq sa edhe drejtuesit e tij, nuk mundën dot ta shpinin deri në fund atë!… Kushdo artist do të ndjente keqardhje të thellë e do të varfërohej shpirtërisht nga ky rast i paprecedent, kur mundi i tyre nuk do të shkonte deri në fund për shkak të mungesës së sponsorizimit dhe mbështetjes nga pushtetarët e vendit të tyre.

Aq edhe më tepër, kur festivalin e përcillnin çdo natë një panel studjuesish e kritikësh të teatrit shqiptar, si Prof. dr. Nebi Islami, Prof. dr. Josif Papagjoni, kritikët Jahi Jahiu e M. Gjini. Ndërkohë, kur në skenë do të debutonin artistë të talentuar si Bruno Shllaku, Agron Dizdari, Drande Xhaj, Shpresa Garuci (Shkoder), Blerta Kurti, Muho Uruçi, Anes Kurti (Ulqin), Musa Isufi, Aurita Agushi, Anisa Ismaili, Qëndresa Loki (Kumanovë), Ernest Zymberaj, Safete Mustafa, Avni Shkodra, Alban Shahiqi, Emine Τοsκa, Tringa Hasani, (Gjilan),Burhan Amiti, Linda Shabani e shumë të tjerë. Po këtë festival interesant e nderonte me prezencen dhe interpretimet e veta gazmore edhe aktori me origjinë dibrane i teatrit të Durrësit, Muharrem Hoxha.

Ishte një kënaqësi e madhe për spektatorët dibranë posaçërisht, por edhe për artistët që e zbukuruan jetën e qytetit të Dibrës me shfaqjet e tyre dhe mesazhet që përcollën duke ofruar ngjarje, subjekte, personazhe dhe risi humane e morale përtëritëse e me fuqi emancipuese. Si të gjitha edicionet e mëparshme të këtij festivali, edhe ky edicion u shndërrua në një “agorë” të diskutimit për dukuri e probleme të mprehta që përjeton njeriu dhe shoqëria shqiptare, ku njerëzit i përthyejnë ngjarjet dhe heronjtë e ardhura nga dramat në problematika sociale, politike, familjare dhe humane të vetat.

Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia përtëritëse e artit, pushteti dhe katarsa e tij e jashtëzakonshme për shpirtrat e munduar të njerëzve, pra dhe të spektatorëve të Dibrës. Dhe është pikërisht kjo arsyeja përse aktivitete të tilla me natyrë tjetër publike, duhen mbështetur nga pushteti vendor në dobi të qytetarëve dhe taksapaguesve të vet, për t’u krijuar atyre kënaqësi e lumturi, madje edhe entuziazëm e një ndjenjë optimizmi për jetën. Vetëdijet e ngushta që rëndom manifestohen në pjesën e administratës, sado, krijojnë situata të vështira për mbarëvajtjen e një festivali. Gjithsesi janë spektatorët ata që e duan atë, janë ata që do ta mbështesin dhe do t’i japin frymë e vijimësi.

Por sado që të kaloj koha e të rrjedhin ujërat nga qielli, Festivali i Dramës Shqipe në Dibër të Madhe do të mbijetojë, përkundrejt veprimtarive të tjera që gëlojnë andej – këndej, në varfërinë e tyre, kur edhe mania për të bërë patjetër festivale e ka humbur interesin e është kthyer në një mani të disa tipave që s’kanë ç’të bëjnë tjetër

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat