Oriz, patate dhe grurë, bimët e para që do të kultivohen në Mars

Teknologji

Oriz, patate dhe grurë, bimët e para që do të kultivohen në Mars

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 18:41
Ilustrim

Kultivimi i orizit, sojës, patateve dhe grurit do të ushqejnë kolonizuesit e parë të Marsit. Këto bimë janë zgjedhur për shkak të përbërësve të tyre të lartë të proteinave dhe karbohidrateve shumë të rëndësishme për ushqimin e njeriut. Ato duhet të rriten me teknika kultivimi që marrin parasysh kushte mjedisore ekstreme, duke arritur të shfrytëzojnë edhe jashtëqitjen e astronautëve, që do të përpunohet dhe do të krijojë një ekosistem të mbyllur dhe krejtësisht të vetëmjaftueshëm.

Këtë skenar e ka ndërtuar Stefania De Paskale, profesoreshë në kopshtari në Universitetin Federico II në Napoli, që prej vitesh bashkëpunon me Agjencinë Hapësinore Italiane (ASI) dhe Agjencinë Hapësinore Evropiane (ESA) për të përcaktuar se cila do të jetë bujqësia jashtëtokësore e së ardhmes. “Kultivimi i këtyre bimëve do të ketë një funksion të dyfishtë, dhënien e ushqimit dhe rigjenerimin e ajrit dhe ujit nëpër koloni”, shpjegon De Paskale.

“Falë projektit evropian ‘Melissa’, po punojmë prej vitesh për të seleksionuar bimët më të përshtatshme, për përshtatjen e teknikave të kultivimit dhe zhvillimin e metodave të korrjes dhe konservimit të produkteve”, thekson ajo. Në fakt teknikat e kultivimit do të jenë më të ngjashme me ato në tokë, sepse në Mars ka gravitet, ndonëse është sa 40 për qind e asaj tokësore.

Ajo që do të mungojë do të jetë terreni i përshtatshëm për mbjellje. Me shumë mundësi sipërfaqja marsiane, që është e pasur me pluhur meteorësh, mund të pasurohet me mbetje organike, pra mbetje ushqimore apo nga vetë kultivimi, por edhe jashtëqitje njerëzore e përpunuar, sikurse kemi parë në filmin “The Martian”.

Por teknika në të cilën studiuesit janë përqëndruar më shumë janë kultivimet idroponike, kultivim i bimëve në një substrat neutral dhe inert (si rërë, kokrriza argjile, lesh prej guri etj) duke e pasuruar me elemente ushqyese. Në disa raste, si ai i sojës, këto teknika kanë treguar se mund të sjellin një përmirësim të prodhimit dhe të sasisë në raport me kultivimin në fusha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat