Apple merr rolin udhëheqës edhe në tregun e orëve të mençura

Teknologji

Apple merr rolin udhëheqës edhe në tregun e orëve të mençura

Më: 6 maj 2017 Në ora: 17:57
Apple

Edhe pse tregu i orëve të mençura ende nuk është në nivelin e paraparë, Apple ka marrë shkopin e dirigjentit.

Tim Cook kohë më parë porositi se shitja e serisë së dytë të orëve të mençura Apple Watch pothuajse është dyfishuar këtë vit, por shumica e vlerësuan këtë deklaratë si të tepruar. Por, pas raporteve zyrtare të Strategy Analytics duket se Cook aspak nuk ka fryrë shifrat, pasi Apple mund të thuhet se përfundimisht ka marrë rolin udhëheqës kur është në pyetje tregu i orëve të mençura.

Deri më tash lider i orëve të mençura ishte kompania Fitbit, por ajo në tremujorin e parë ka shitur 2,9 milionë orë të mençura, derisa Apple në të njëjtën periudhë ka arritur shifrën e shitjes prej 3,5 milionë Apple Watch 2. Kjo paraqet rritje prej 59%, pasi në të kaluarën kishte shitje në vlerë prej 2,2 milionë orë të mençura.

Apple në këtë mënyrë me pjesën prej 15,9%  merr rolin kryesor në këtë segment të tregut, derisa Fitbit ka rënë në vendin e tretë, pasi kompania shënoi rënie prej 35%  për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe aktualisht mban 13,2%  të tregut, transmeton KosovaPress.

Në pozitën e dytë renditet Xiaomi me 15,5% të tregut dhe ka shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar nga 3,8 në 3,5 milionë pajisje të shitura.

Edhe pse tregu i orëve të mençura nuk është as për së afërmi në nivelin e pritur nga prodhuesit, vitin e kaluar janë shitur 18,2 milionë pajisje, derisa këtë vit kjo shifër kap vlerën prej 22 milionë dhe nuk dihet nëse në të ardhmen do të ketë ekspansion në këtë segment të tregut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat