Nisma e BE, internet “wireless” falas në çdo fshat të Unionit

Teknologji

Nisma e BE, internet “wireless” falas në çdo fshat të Unionit

Më: 30 maj 2017 Në ora: 23:21
Ilustrim

Parlamenti Europian, Këshilli i BE-së dhe Komisioni Europian kanë arritur një marrëveshje të re mes tyre në lidhje me nismën e propozuar vitin e kaluar me vlerë 120 milionë euro të quajtur “WiFi4EU”, që synon të pajisë “çdo fshat dhe qytet të Europës me qasje falas në internet wireless, kryesisht përreth qendrave kryesore të jetës publike” deri në vitin 2020.

Plani u propozua fillimisht në shtator të vitit 2016, si pjesë e propozimeve të reja të Komisionit Europian të quajtura “Gigabit Society”, që përfshinte ndër të tjera edhe një objektiv të ri “për të gjitha familjet europiane”, që të mund të kishin një shpejtësi minimale interneti prej 100 Mbps deri në vitin 2025.

Në atë kohë, nisma “WiFi4EU” kishte mangësi të theksuara në detajimin e saj, megjithatë, bazuar në marrëveshjen e re konfirmohet se vlera e përgjithshme prej 120 milionë eurosh do të përcaktohet për financimin e pajisjeve të nevojshme për shërbimet wireless publike dhe falas në 6.000-8.000 bashki anembanë vendeve anëtare.

Autoritetet lokale do të mund të aplikojnë për këto fonde sapo të ngrihet sistemi, edhe pse duhet ende të arrihet marrëveshje për “burimet specifike të financimit”. Financimi do të jetë i mundshëm për zonat, ku ende nuk ekziston ndonjë ofertë e ngjashme publike apo private.

Projektmarrëveshja duhet të vuloset tashmë nga Parlamenti dhe Këshilli, përpara se legjislacioni të hyjë në fuqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat