“Balena blu”, mendja e sëmurë ruse që shpiku lojën

Teknologji

“Balena blu”, mendja e sëmurë ruse që shpiku lojën

Më: 13 qershor 2017 Në ora: 21:42
Ilustrim

Mediet e përkufizojnë si “lojë të çmendur” dhe “Sfida e balenës blu”, pjellë e një mendjeje të sëmurë, e tillë është. Sfida e rrezikshme, që në fillim duket e padëmshme, lidhet me të paktën 130 vdekje në Rusi, e ka detyruar ngadalë policitë e vendeve të ndryshme europiane të mos e shohin edhe me aq indiferentizëm, por të paralajmërojnë prindërit mbi kërcënimin, në dukje të pafajshëm, që u kanoset fëmijëve të tyre.

Loja merr jetë në platformat e medieve sociale. Një kujdestar caktohet për t’i drejtuar pjesëmarrësit në sfidën 50-ditore, gjatë së cilës u kërkohen prova të ndryshme, të cilat në fillim janë mjaft të thjeshta dhe i tërheqin të rinjtë naivë. Por më pas, sfidat vështirësohen ndjeshëm, duke mbërritur në më të rrezikshmet e vetëdëmtueset, që përfundojnë në vetëvrasje.

Nëse personi, në një moment të caktuar kërkon të tërhiqet, gjendet nën kërcënimin se njerëzit e tij do të lëndohen, sepse drejtuesit e lojës i kanë të dhënat e tyre personale.

15-vjeçarja ruse, Yulia Konstantinova iu bashkua shoqes së saj Veronika, 16 vjeç, për sfidën e fundit: kërcënimin nga çatia e një blloku apartamentesh 14-katësh. Një tjetër 15-vjeçare u shtrua në spital në gjendje kritike, pas hedhjes nga kati i pestë i një pallati në Krasnoyarsk, e dy ditë përpara kësaj, një tjetër adoleshente nga Chita ishte hedhur në shinat e një treni.

“Kemi numëruar 130 vetëvrasje fëmijësh në periudhen nëntor 2015-prill 2016”, shkruante kohë më parë gazeta investigative ruse “Novaya Gazeta”. Shumica e tyre ishin anëtarë të të njëjtave grupe në internet dhe jetonin në familje fare normale, madje të lumtura.

“Kushdo që e ka krijuar këtë lojë të tmerrshme, është një njeri mendërisht i sëmurë”, deklaronin javë më parë krerë të policisë britanike. Më 12 qershor, policia e Moskës arrestoi atë që besohet të jetë administratori i lojës së rrezikshme. 26-vjeçari Ilya Sidorov sapo kishte udhëzuar një 13-vjeçare, banore e fshatit të largët Yetkul, të hidhej përpara një treni pasagjerësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat