Blerja e valutave virtuale në të ‘zezën’ trend në Kosovë

Teknologji

Blerja e valutave virtuale në të ‘zezën’ trend në Kosovë

Më: 18 mars 2018 Në ora: 11:26
Ilustrim

Përkundër asaj se kriptovalutat mund të blihen në mënyrë të rregullt dhe me debit kartela, në Kosovë pjesa më e madhe e shkëmbimeve bëhet në dorë, ose në të “zezën”.

Kështu ka deklaruar inxhinieri Ermal Sadiku në një intervistë për Kp, ku ka thënë se në Kosovë janë rreth 150 kompani të ndryshme të cilat janë të interesuara, ose e pranojnë bitcoin-in si mjet këmbyes.

E përkundër rënies së vlerës së kriptovalutave, e trajtuar ditë më parë nga KosovaPress, trendi i përdorimit të tyre vazhdon. Ajo që zgjon interesim tek qytetarët është se si të blihen ato përmes debit kartelave. Por Sadiku thotë se pak njerëz janë të informuar se blerja  e kriptovalutave me kartë debiti kushton rreth 5 përqind më shtrenjtë.

Mes tjerash, ai tregon se në këtë drejtim paraqiten disa probleme, pasi që platformat e mëdha nuk e njohin Kosovën si shtet, teksa rrëfen një nga mënyrat se si mund të blihen kriptovalutat.

Sadiku: Kemi probleme të ndërlidhjes të problemeve tona bankare me ato ‘ex-chanched’ e jashtme

“Po munden me u ble sepse kriptot dhe valutat e tjera nuk janë të lidhura me një shtet të caktuar. Nuk është lehtë sepse këto platformat e mëdha ‘online’ nuk po e njohin Kosovën si shtet, sepse po kemi probleme të ndërlidhjes të problemeve tona bankare me ato ‘ex-changed’ e jashtme, por ekziston mënyra me i ble me dashtë. Është ‘pdo’ ku aty ke mundur me ble me kartela bankare të Kosovës. Zakonisht çmimet janë më të larta kur blenë kështu me kartelë, së paku 4-5 përqind më të larta se në treg normal. Periudha më e mirë për të investuar, për të blerë bitcoin, është kur botcoin është lirë dhe periudha më e mirë për me shitë është kur bitcoin është shtrenjtë”, tha ai.

E një tjetër mënyrë për të blerë kriptovaluta, sipas tij, janë trasferet bankare.

Sadiku: Një mënyrë tjetër se si po blihen këto kripto është se bëhen transfere bankare

“Një mënyrë tjetër se si po blihen këto kripto është se bëhen transfere bankare. Do të thotë shkon në ‘Pro Credit’ e bënë një transfer bankar në një ‘ex-change’ të caktuar, për shembull në kraken dhe pastaj i ke të ruajtuara aty, të dalin si euro dhe aty mund të shkëmbesh me çmime shumë më të mira. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për ata që e blejnë. Zakonisht transferi zgjat 1 ditë sa kam dëgjuar, por prapë se prapë, blerja e valutave në dorë, që i themi ne në të ‘zezën’ vazhdon të mbetet sasia më e madhe e shkëmbimit”, u shpreh ai.

Përkundër asaj se njerëzit e shohin kripto-valutën si mjet shkëmbimi, për të blerë ose për të shitur, Sadiku thekson se përdorimi i tyre shkon përtej kësaj.

Sadiku: Kemi gjetur rreth 150 kompani që e pranojnë si mjet shkëmbyes

“Kriptovalutat janë shumë të përdorshme, përtej asaj se çka mundesh me ble me to. Qëllimi kryesor ose qëllimet më të mëdha të kripto-industrisë nuk janë për me ble ose për me shitë me to. Disa prej tyre, si bitcoin, ndoshta, edhe e kanë pasur atë pikësynim në fillim, por edhe ato i kanë ndryshuar qëllimet e tyre. Nëse flasim për mënyrë klasike të blerjes, për shkëmbim me ndonjë mallë të caktuar, sot në Kosovë mund të blesh ose ta shkëmbesh me shumë mallra ose shërbime me të cilat njerëzit janë dakorduar t’i shkëmbejnë. Ne kemi gjetur rreth 150 kompani të ndryshme të cilat janë të interesuara, ose të cilat e pranojnë si mjet shkëmbyes. Disa e përdorin si mjet marketingu, disa për shkaqe operacionale”, theksoi a. 

Për të kryer transaksione dhe për të blerë kriptovaluta në mënyrë elektronike, Granit Kadolli, njohës i kësaj fushe, ka shpjeguar se kartelat bankare duhet të jenë patjetër debit karta. 

Ai sqaron se për t’i hyrë këtij procesi së pari duhet deponuar mjetet e parapara për investim në llogarinë e hapur në kraken, ku më pas, aty mund të shndërrohen në kripto, ose edhe të transferohen diku tjetër.

Kadolli: Mund të deponosh dhe me e-bank transfer

“Duhet me qenë patjetër kartela debit kartelë sepse disa me çanta, po i quajë kështu sepse nuk kam fjalë shqipe për këtë, ndalojnë. Edhe forex me sa e di unë nuk mund të blesh me kredit-kartë, por mundesh ta deponosh në kraken... Mund të deponosh dhe me e-bank transfer. Mund të deponosh për shembull 1 mijë dollarë ose 1 mijë euro. Deponohen në llogarinë tënde që e hap në Kraken, pastaj aty mund ta shndërrosh në kripto ose ta transferosh diku tjetër”, tha ai.

Ai rrëfen se në Kosovë për çështje të ndryshme fillimisht është ndaluar bitcoin, teksa më pas është lëshuar. Kadolli shpjegon se edhe vet ka blerë kripto-valuta përmes sistemit bankar.

Kadolli: Arsyeja se pse e kanë ndaluar është sepse ndoshta nuk e kanë pasur të qartë se çka është ky fenomen

“Mirëpo një kohë e kanë ndaluar tek ne. Arsyeja se pse e kanë ndaluar është sepse ndoshta nuk e kanë pasur të qartë se çka është ky fenomen. Por më pas e kanë lëshuar. Unë për herë të fundit e kam provuar në muajin shtator, kur kam bërë pagesë me debit kartelë pa problem. Deri në 1 mijë euro mund ta shfrytëzosh aq sa e kam provuar unë. Për më shumë nuk e di se nuk kam provuar as vet”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Banka Qendrore e Kosovës para disa ditësh, përmes një komunikate ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur më 26 shkurt 2018 ka themeluar një organ të përhershëm për vlerësimin dhe adresimin e sfidave rregullative lidhur me paratë virtuale, i cili do të përcjellë dhe analizojë zhvillimet ndërkombëtare për rregullimin e parave virtuale,

“Në vazhdën e angazhimeve vlerësuese dhe paralajmëruese të BQK-së lidhur me dukurinë e parave virtuale, Bordi Ekzekutiv i BQK-së në mbledhjen e mbajtur më 26 shkurt 2018 ka themeluar një organ të përhershëm për vlerësimin dhe adresimin e sfidave rregullative lidhur me paratë virtuale. Ky organ i strukturuar në formën e një grupi këshillues do të përcjellë dhe analizojë zhvillimet ndërkombëtare për rregullimin e parave virtuale, me fokus në trajtimin e tyre nga rregullatorët në vendet e BE-së dhe vendet e rajonit, si dhe do të përgatisë rekomandime për organet vendimmarrëse të BQK-së lidhur me hapat e mëtejmë në funksion të rregullimit të parave virtuale”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Krejt në fund, BQK-ja ka u ka tërhequr vëmendjen subjekteve vendore lidhur me rreziqet për humbjet financiare që mund t’i pësojnë nga investimi në para virtuale, si dhe lidhur me implikimet e tjera të mundshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat