BE detyron rrjetet sociale të “dorëzojnë” mesazhet e terroristëve

Teknologji

BE detyron rrjetet sociale të “dorëzojnë” mesazhet e terroristëve

Më: 18 prill 2018 Në ora: 10:40
Foto ilustrim

Komisioni Europian po tenton të detyrojë kompanitë teknologjike, pavarësisht vendit ku i kanë selitë e tyre në Bashkimin Europian, të dorëzojnë “e-mail”-e, mesazhe SMS apo komunikimet në aplikacione të ndryshme të të dyshuarve për terrorizëm brenda pak orësh pas një urdhri gjyqësor.

Sipas këtyre planeve, gjykatësit në cilindo vend anëtar do të kenë mundësi të “sekuestrojnë” prova elektronike të mbajtura nga një ofrues shërbimi në një tjetër vend europian, përmes një urdhri ndëreuropian.

Kompetencat do të mbulonin gjithashtu edhe sekuestrimin e të dhënave jashtë një vendi të BE-së, nga një kompani teknologjike “që ofron shërbime në union, ose është themeluar apo përfaqësohet” në një vend anëtar të BE-së.

Informacioni do të duhet të dorëzohet nga ofruesi i shërbimit brenda 10 ditësh nga marrja e urdhrit gjyqësor, ose jo më vonë se 6 orë në rastet më emergjente.

Aktualisht, në varësi të procesit gjyqësor, limitet kohore përpara të cilave një kompani teknologjike duhet t’iu përgjigjet gjykatave kombëtare mund të variojë nga 120 ditë në 10 muaj.

“Provat elektronike janë gjithnjë e më të rëndësishme në procedimet penale. Ne nuk mund t’u lejojmë kriminelëve dhe terroristëve të shfrytëzojnë teknologjitë moderne të komunikimeve elektronike për të fshehur veprimet e tyre kriminale dhe për t’i ikur drejtësisë. Nuk duhet kurrsesi të ketë një strehë për kriminelët apo terroristët në Europë, ‘online’ apo ‘offline’ qofshin. Propozimet e sotme do të vendosin përpara mjetet e paprecedenta që iu mundësojnë autoriteteve kompetente jo vetëm të mbledhin prova elektronike me shpejtësi dhe eficencë anembanë kufijve, por edhe për sigurimin e masave të sigurisë për të drejtat dhe liritë e njerëzve të prekur”, u shpreh Frans Timmermans, zv.presidenti i Komisionit Europian.

Kompanitë teknologjike do të kenë për detyrim edhe mosfshirjen e të dhënave specifike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat