Java e iPad Mini-it: Çfarë të presim nga Apple

Teknologji

Java e iPad Mini-it: Çfarë të presim nga Apple

Më: 21 tetor 2012 Në ora: 13:18

Para disa ditësh Apple ka dërguar ftesat e eventit që do të mbahet më 23 tetor në San Jose, Kaliforni.

Ftesa për shtypin hapet me fjalët “kemi edhe diçka tjetër për t’ju treguar”. Eventi do të zhvillohet në California Theater në orën 10:00. Por çfarë mund të prezantohet këtë javë?

Përveç iPad Mini-t, ka edhe disa përditësime të tjera që mund të lançohen në këtë event.

Më poshtë PCWorld ju paraqet një listë të tyre së bashku me probabilitetet që kanë për të ndodhur.

iPad Mini: Po

Është pothuajse e konfirmuar nga të gjithë. iPad Mini mendohet se do të ketë ekran 7.85 inç (jo retina), një procesor A5 dhe 512GB RAM. Pjesa tjetër e specifikimeve nuk dihen ende me siguri.

iMac-ë të përditësuar: Ndoshta++

Mbase Apple do të prezantojë disa iMac-ë të përditësuar, por mos prisni një dizajnim apo shtim të Retina display. Për këto Apple do të kishte mbajtur një event të veçantë.

Mac Mini i përditësuar: Ndoshta

Me shumë pak mundësi që të kenë një ridizajnim të plotë, por ndoshta mund të prezantohen modele më të vogla, me pamje më të rinovuar.

Apple HDTV: E pamundur

Nuk mendoni se Apple do të kishte mbajtur një event tjetër për lançimin e një TV të tillë?

MacBook Pro Retina 13 inç: Nuk ka shumë mundësi

Ditët e fundit janë përhapur fjalë në Twitter se ky event i përket pajisjeve të vogla dhe këtu përfshihet MacBook Pro 13 inç. Megjithatë, historia e Apple tregon se këto lloj eventesh përqendrohen vetëm tek një produkt, ndërsa pjesa tjetër e prezantimit janë gjëra të vogla. Vështirë se Apple do të devijojë nga qëllimi kryesor për të cilin po mban eventin për të prezantuar një pajisje kaq të rëndësishme si MacBook Pro Retina 13 inç.

iPad i përditësuar: As mos e ëndërroni

Eventi do të mbahet për iPad Mini-n, jo për vëllain e tij “gjigant”.

iTunes i ri: Ka shumë mundësi

Lajmi për iTunes-in e ri u dha në eventin e iPhone 5 dhe u tha se lançimi do të ndodhte në tetor. Kjo do të jetë java e fundit e tetorit dhe gjatë kësaj jave zhvillohet edhe eventi.

Disa thashetheme lidhur me iPad Mini-n:

Ndoshta mund të quhet "iPad Air" në vend të iPad Mini

Meqenëse produktet e holla dhe më të lehta, Apple i quan “Air”, ndoshta edhe ky iPad i vogël mund të marrë po atë emër.

iPad Mini me ngjyra: E pamundur

Duke qenë se kjo është gjenerata e parë e këtyre pajisjeve, nuk ka shumë mundësi të ketë diferencime në ngjyra.

Çmimi fillestar 250$: Ka mundësi

Çmimet që sugjerohen sipas thashethemeve janë nga 250 – 350$. (PCWorld Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat