Të mëdhenjtë nuk zhgënjejnë në Pekin dhe Tokyo

Tenis

Të mëdhenjtë nuk zhgënjejnë në Pekin dhe Tokyo

Më: 5 tetor 2016 Në ora: 00:24
Andy Murray

Në pritje të Mastersit të Shangait pjesa më e madhe e tenistëve është zhvendosur drejt Lindjes së Largët, për dy turnetë e përvitshëm që zhvillohen si zakonisht në këtë periudhë të sezonit. Bëhet fjalë për aktivitetet që luhen në Tokio dhe Pekin, dy turne që në përfundim kurorëzojnë fituesin me vlerën e 500 pikëve. Në Japoni marrin pjesë tre tenistë të dhjetëshes së parë të botës si Nishikori, që e ka fituar turneun e shtëpisë 2 herë në 4 vitet e fundit si dhe Gael Monfils e Tomas Berdych. Në ditën e dytë të këtij kompeticioni radhën për të zbritur i pari në fushën e lojës e pati numri 5 i turneut, David Goffin. Tenisti belg vuajti vetëm në setin hapës, set ku u regjistruan plot pesë game me break, ndërsa më pas gjërat u lehtësuan ndjeshëm, e në përfundim 25-vjecari nga Liezhi mposhti 7-5, 6-2 numrin 96 të botës, japonezin Yoshihito Nishioka. Nick Kyrgios mban numrin 6 në këtë turne, sidoqoftë tenisti australian mbylli ekzaktësisht me po të njëjtat shifra takimin e tij me amerikanin Ryan Harrison. Një ndër ndeshjet më të forta të ditës rezultoi përballja Gilles Simon – Philipp Kohlschreiber. Të dy tenistët për momentin kanë rrëshqitur respektivisht në pozicionet 30 e 31 dhe ndahen në klasifikimin ATP nga vetëm 10 pikë, megjithatë në Japoni dueli i tetë ndërmjet tyre u fitua pikërisht nga tenisti francez. Simon, që kishte humbur dy duelet e fundit mori setin hapës 7-5, gjithsesi tenisti gjerman u kundërpërgjigj, duke fituar të dytin 6-4. Në setin final 31-vjecari nga Nisa fitoi me 0, duke humbur vetëm 6 pikë gjithsej, e për rrjedhojë Simon thellon diferencën në 5-3, në bilancin e përballjeve ndërmjet tyre. Një tjetër francez, Gael Monfils paraqitet në Tokio me numrin 2 të turneut, e në fakt 30-vjecari parizien pati nevojë për një orë lojë, për të fituar 6-3, 6-1 ndaj tenistit nipon Yuichi Sugita. Në krahun tjetër të Detit të Kinës Lindore turneu i Pekinit cmohet dy herë më shumë, në aspektin e vlerës monetare, pasi organizatorët e shpërblejnë fituesin me një cek të majmë prej plot 663.000 dollarësh. Këtë vit mungon dominuesi i këtij aktiviteti Novak Djokovic. Nole që e ka fituar këtë turne plot 6 herë në 7 vitet e fundit këtë radhë nuk merr pjesë për shkak të një dëmtimi në bërryl, gjithsesi në Kinë sivjet pritet një rivalitet i ashpër teksa marrin pjesë katër lojtarë të Top 10, si Andy Murray, Rafael Nadal, Milos Raonic dhe Dominic Thiem. Teksa pjesa më e madhe e ndeshjeve u shty për shkak të rreshjeve të shiut, dy favoritët e këtij turneu nuk patën probleme dhe fituan pa shumë vështirësi me tenistët italianë që patën përballë. Rafa humbi vetëm dy game gjithsej në takimin me veteranin Paolo Lorenzi, ndërsa tenisti britanik triumfoi në një orë e gjysmë kohë, me rezultatin 6-2, 7-5, për të regjistruar njëherësh edhe fitoren e shtatë në karrierë ndaj 32-vjecarit nga Bolzano.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat