Australian Open, Nadal dhe Serena në 1/8-at

Tenis

Australian Open, Nadal dhe Serena në 1/8-at

Më: 21 janar 2017 Në ora: 15:19
Rafael Nadal kalon me vështirësi në fazën e 1/8

Rafael Nadal kalon me vështirësi në fazën e 1/8-ave të Australian Open. Tenisti nga Mallorca zhvilloi një betejë të vërtetë në duelin kundër gjermanit Alexander Zverev, të cilin e theu vetëm në setin e pestë. Ish numri 1 i botës, e nisi ndeshjen menjëherë në malore duke u thyer në të parin 6-4, por u kundërpërgjigj menjëherë në setin e dytë 6-3. Dueli u bë më i nxehtë në setin e tretë ku ndeshja shkoi në tie break dhe 19-vjeçari Zverev arriti të kalonte 7-5, por klasi dhe forca e Nadal dolën në pah me kalimin e minutave sepse spanjolli arriti të rikthehej në lojë me një 6-3 dhe në fund me setin final ku triumfoi 6-2. Në raundin tjetër kualifikohet edhe Denis Istomin. Uzbeku që po rezulton surpriza më e madhe e turneut pas suksesit ndaj Novak Djokovic, kalon edhe Pablo Carrenon në 5 sete. Në derbin spanjoll, Roberto Bautista theu David Ferrer 3-1.

Ndërkohë, eliminimi i Novak Djokovic në Australian Open, e lë të vetme Serena Williams në garën për titullin e shtatë në tokën kangurëve. Ish numri 1 i botës nuk vuajti aspak për të prerë biletën e 1/8-ave duke shkatërruar në rreth një orë bashkëkombasen  Nicole Gibbs me rezultatin 6-1, 6-3. Serena e nisi ndeshjen me grintën e përhershme duke lënë vetëm një lojë për kundërshtaren në setin e parë.

Diferenca e madhe në fushë u vu re në çdo top ku tenistja me ngjyrë arriti të imponohej me prepotencë duke e shkurajuar kundërshtaren. Edhe seti i dytë kishte pak histori me Williams që u prezantua pothuajse perfekte. Në fazën tjetër, Serena do të përballet me çeken Barbora Strycova, e cila kaloi francezen Caroline Garcia. Më i luftuar rezultoi dueli Cibulkova-Makarova. Ishte tenistja ruse që arriti të triumfonte në tre sete 6-2, 6-7, 6-3 duke eliminuar kështu sllovaken Cibulkova e cila tregoi shumë ulje-ngritje dhe aspak vazhdimësi në lojën e saj, duke i lënë fushë të lirë Makarovas, e cila gjen në fazën tjetër anglezen Joana KOnta, e cila nga ana e saj u imponua ndaj danezes Caroline Wozniacki 6-3, 6-1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat