Nadal thyen Djokoviç, është në finalen e Madridit

Tenis

Nadal thyen Djokoviç, është në finalen e Madridit

Më: 13 maj 2017 Në ora: 22:37
Nadal

Më në fund pas plot tetë humbjeve radhazi Rafael Nadal ia doli mbanë për të mposhtur numrin 2 të botës Novak Djokovic. “Mbreti i fushave me dhe” kishte rastin më të mirë për t’u rikthyer në rrugën e fitoreve ndaj tenistit serb dhe për hir të së vërtetës tenisti iberik nuk zhgënjeu aspak, duke mbyllur takimin në vetëm dy sete. Të dy tenistët u paraqitën në fushën Manolo Santana, që në fakt për momentin është edhe drejtori i Mastersit të Madridit, në pozita krejt të kundërta.

Nole zbriti në fushën qendrore në rënie të lirë, pasi fituesi i 30 turneve të kësaj kategorie nuk triumfon prej plot 9 muajsh, që nga Rogers Cup, ku mundi në finale japonezin Kei Nishikori, ndërsa Rafa u paraqit plot besim pas sukseseve radhazi në Montecarlo dhe Barcelonë.

Novak Djokovic që në cerekfinale përfitoi pikërisht nga dëmtimi i tenistit nipon e filloi ndeshjen në mënyrën më të keqe të mundshme, teksa humbi katër game rresht. Në vazhdim Nadal administroi pa shumë probleme epërsinë e krijuar, duke mbyllur setin hapës me rezultatin e thellë 6-2. Në këtë set Nole nuk pati asnjë mundësi për break, për më tepër kampioni në fuqi mori vetëm dy pikë në servis, në shërbimin e tij të dytë. Ky ishte seti i parë për 30-vjecarin nga Mallorca, pas plot 17 seteve radhazi të humbur në përballjet ndërmjet tyre, që në fakt e përmbysën bilancin nga 23-18 në favor të Rafës në 26-23 për Djokovic.

Seti i dytë zgjati një orë dhe ishte shumë më i rivalizuar, pasi Nole e përmirësoi ndjeshëm lojën e tij. Pas disavantazhit 2-0 numri 2 i botës rikuperoi duke barazuar 2-2, gjithsesi Nadal u përgjigj me një kundërbreak duke rimarrë kontrollin e ndeshjes. Në game-n e dhjetë pasi anulloi dy mundësi për takimin Djokovic shpërdoroi një rast të mirë për të zgjatur setin, sidoqoftë në vijim numri pesë i botës mbylli gjithcka me shifrat 6-2, 6-4, duke regjistruar suksesin e parë ndaj Noles që nga finalja e madhe në Roland Garros, tre vjet më parë. Ky është muaji përcaktues në “clay court” dhe Rafa që në kryeqytetin spanjoll siguroi finalen e tetë është qartësisht tenisti më në formë i kësaj periudhe, teksa ka fituar 14 ndeshjet e fundit radhazi, ecuri ku Nadal ka humbur vetëm dy sete gjithsej, me italianin Fabio Fognini dhe britanikun Kyle Edmund, prandaj është e kuptueshme përse edhe gjithkush pret që dominuesi i fushave me dhe të koleksionojë titullin e pestë në Madrid dhe të 51 gjithsej në karrierë, në këtë lloj sipërfaqe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat