“Wimbledon”, sa shumë polemika për gjendjen e fushave

Tenis

“Wimbledon”, sa shumë polemika për gjendjen e fushave

Më: 12 korrik 2017 Në ora: 18:51
Tenistja Bethanie Mattek Sands ka pësuar një lëndim të rëndë në Wimbledon

“Wimbledon” është turneu më magjepsës në historinë e tenisit. Veshja zyrtare e bardhë, druri si pjesë e stolive të fushës dhe tapeti krejtësisht me bar natyral. Por këtë vit, “Wimbledon” po regjistron polemika të mëdha mbi kushtet e këqija të fushave.

Sportistë të njohur ngritën zërin më shumë se asnjëherë tjetër, pas dëmtimit të rëndë të Bethanie Mattek-Sands.

Tenistja amerikane doli nga fusha para pak ditësh mes ulërimave dhe lotëve, kur pritej që të merrte një titull të sigurtë këtë vit në dyshen me Lucie Safarova. Ndërkohë, këtë mesjavë, Kristina Mladenovic kritikoi organizatorët e “Wimbledon”-it.

“Rrëshqita keq dhe do të duhet të bëj një kontroll të detajuar të gjurit, pasi në fusha nuk ka më bar. Madje, në fushën numër 18 ka edhe një gropë. Nuk ndodh shpesh që të kërkohet pezullimi i lojës pas vetëm dy game të luajtura, e sidomos në një Grand Slam”, tha tenistja e njohur franceze.

Bari i fushave të turneut londinez duket se është vërtet me rrezik për sportistët, aq sa të tërheqë edhe kritikat e idhullit të shtëpisë, Andy Murray.

“Nuk është më cilësia e njëjtë e fushave me vitet e kaluara, pasi ka shumë gropa dhe madje disa duna të vogla në cepat e tapetit”, tha tenisti skocez. Por, ata që mbrojnë më shumë fushat e kuruara nga Sir Neil Stubley, janë dy legjenda të tenisit si Rafael Nadal e Roger Federer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat