Nadal sërish në finalen e Pekinit

Tenis

Nadal sërish në finalen e Pekinit

Më: 7 tetor 2017 Në ora: 21:18
Rafael Nadal

Rafael Nadal mund në tre sete numrin 8 të botës Grigor Dimitrov, duke u kualifikuar për herë të katërt në karrierë për në finalen e turneut të Pekinit. 12 muaj më parë në kryeqytetin kinez tenisti bullgar e mundi Rafën bindshëm në vetëm dy sete, sidoqoftë ajo ndeshje përbënte edhe fitoren e vetme të Dimitrov në 9 përballjet ndërmjet tyre. Numri 1 i botës ishte thjesht stratosferik përgjatë orës së parë të lojës dhe Rafa fluturoi shpejt e shpejt në avantazhin e një seti dhe të një game me break. Në setin hapës 31-vjecari spanjoll u mjaftua vetëm me një break në game-n e katërt, ndërsa në setin pasardhës Nadal e ndëshkoi në servis tenistin ballkanas me 0, që në game-n e parë. Në Australian Open, edhe atëherë në gjysmëfinale, Dimitrov e shtrëngoi tenistin iberik në pese sete, në një takim që zgjati plot pesë orë lojë, gjithsesi në tre përballjet e fundit tenisti bullgar ia kishte dalë mbanë gjithmonë për të fituar set ndaj Rafës.

Numri 8 i botës që në Pekin kërkonte finalen e dytë radhazi, përfitoi nga gabimet e shumta të tenistit nga Mallorca dhe përmbysi disavantazhin 3-1, duke fituar 5 nga 6 game-t e fundit të setit të dytë. Në setin final gjithcka ndryshoi sërish, teksa Nadal iu rikthye lojës së tij, për t’i lënë kundërshtarit thjesht një game të vetëm, gjithsesi pavarësisht rezultatit të thellë tre game-t e parë ishin tepër të luftuar dhe zgjatën 26′, periudhë ku numri 1 i botës i rrrëmbeu dy herë shërbimet tenistit ballkanas. Grigor Dimitrov shfrytëzoi vetëm 2 nga 12 mundësitë që pati për break, statistikë që i kushtoi shtrenjtë, pasi Rafael Nadal mbylli gjithë takimin me rezultatin 6-3, 4-6, 6-1 në 2h e 19′, duke siguruar njëherësh edhe finalen e nëntë, përsa i përket vitit 2017.

Në finale tenisti spanjoll do të vihet përballë 22-vjecarit australian Nick Kyrgios, që eliminoi në vetëm dy sete numrin 4 të botës Alexander Zverev. Tenisti me origjinë greke u mjaftua me nga një game me break për cdo set, duke fituar krejt ndeshjen me shifrat 6-3, 7-5 në vetëm 1h 18′. Numri 19 i klasifikimit të përgjithshëm ATP siguroi kështu fitoren e tretë në katër përballjet ndërmjet tyre, madje kurioz është fakti që talenti gjerman pati vetëm një mundësi për break gjatë gjithë takimit, ndërsa Kyrgios në krahun tjetër humbi vetëm pesë pikë gjithsej në shërbimin e parë. Tenisti australian kërkon titullin e parë sezonal dhe shanset janë vërtet shumë të mira, duke patur parasysh që bilanci i përgjithshëm në përballjet ndërmjet tyre është i barabartë 2-2.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat