Nadal kalon në raundin tjetër

Tenis

Nadal kalon në raundin tjetër

Më: 17 janar 2018 Në ora: 13:25
Rafael Nadal

Tenisti spanjoll ka regjistruar fitoren e dytë në Australian Open.

Rafael Nadal kalon edhe raundin e dytë në Australian Open. Numri 1 i renditjes botërore fitoi ndaj argjentinasit Leonardo Mayer 3:0, për të siguruar vendin e tij në raundin e tretë.

Nadal i mbylli dy setet e parë 6:4 dhe 6:3, ndërsa tek i treti hasi pak më shumë vështirësi, duke e fituar me “tie break” 7:6.

Kundërshtari i radhës i Nadal do të jetë tenisti boshnjak Dzumhur, i cili eliminoi australianin Millman me rezultatin 3:1.

U kualifikua për në raundin e tretë edhe francezi Jo-Wilfried Tsonga, i cili mposhti me shumë vështirësi kanadezin Shapovalov. Në këtë përballje u deshën pesë sete dhe 3 orë e 37 minuta lojë për të mësuar emrin e fituesit që ishte pikërisht ai i Tsongës, i cili e mbylli sfidën 3:2.

Në konkurrencën e femrave, Caroline Wozniacki nuk e pati të lehtë sfidën e saj me kroaten Jana Fett. Tenistja daneze, ish-numri 1 i botës, e fitoi këtë përballje me rezultatin 2:1, pas 2 orë e 31 minuta lojë. Fett e nisi shkëlqyer ndeshjen duke fituar setin e parë ndaj Wozniackit me rezultatin 6:3. Por, danezja e mori veten dhe arriti të kthejë situatën në favorin e saj, duke fituar dy setet e tjerë 6:2 dhe 7:5. Në raundin e tretë, Wozniacki do të përballet me holandezen Bertens.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat