Reagime dhe protesta për transportin e nxënësve, Komuna heshtë

Tetova

Reagime dhe protesta për transportin e nxënësve, Komuna heshtë

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 16:44
Nxënësit

Prindërit e nxënësve të Malësisë së Sharrit, kanë protestuar sot në Komunën e Tetovës, duke kërkuar zgjidhje për problemin e transportit të nxënësve.

“Është e pamundur çdokush t`ia mundësoj fëmijës së vet të vij në shkollë. Komuna nuk na informon, kemi ardhur te komuna po askush nuk del të jep një informatë të vogël të tregojë se çka ndodh. Ne do mblidhemi gjithë fshatarët ku jemi atje dhe do protestojmë për këtë punë se nuk është mirë. Na kanë lënë padore me gjitha punët si fshatra, të përmbytur në krejt anët”, u shpreh një prind.

“Ne nuk mund ta kuptojmë problemin e komunës, a duan të na bllokojnë shkollat e mesme që na i bënë të obligueshme apo çfarë qëllimi tjetër kanë nuk e di”, tha një prind. “Në shkollë nuk i kam leshu ende, shteti ka garantuar se do ua paguaj rrugën dhe tash nuk i transporton. Ne kemi ardhur në komunë të merremi vesh ose do i dalim në qosh me protesta”, tha një tjetër prind.

Komuna, moszgjidhjen e problemit e arsyeton me shumën e lartë që kanë ofruar transportuesit dhe mungesën e fondeve për lidhjen e kontratave.

Lëvizja Besa: Të sigurohet transporti për nxënësit shqiptarë në Tetovë

Në lidhje me problemin në fjalë, sot ka reaguar edhe Lëvizja Besa. Nga aty thonë se përveç Qeverisë, përkatësisht Ministrisë e Arsimit dhe Shkencës – e udhëhequr nga një shqiptar, e cila në vazhdimësi është pengesë kryesore e zhvillimit të arsimimit të nxënësve shqiptarë, tani edhe Komuna e Tetovës, e udhëhequr nga një shqiptare – kuadër  i BDI-së, është duke pamundësuar që nxënësit shqiptarë ta ndjekin zhvillimin normal të procesit edukativo-arsimor.

“Kur bëhet fjalë për nxënësit shqiptarë, për Komunën e Tetovës gjithnjë paraqiten probleme. Kjo, përveçse flet për joseriozitetin e Komunës së Tetovës ndaj nxënësve shqiptarë, njëherazi flet edhe për dështimin total të menaxhimit me këtë institucion. Andaj Lëvizja BESA – Tetovë, duke konsideruar se nxënësit shqiptarë janë prioritet i yni; e dënojmë këtë trajtim joserioz ndaj nxënësve shqiptarë dhe kërkojmë përgjegjësi publike nga ministri i Arsimit, i cili është koka e këtij turpi. Ndërkaq nga Komuna e Tetovës kërkojmë që nevojat e nxënësve të arsimit të mesëm t’i trajtojë me karakter primar dhe urgjentisht t’u sigurojë atyre transport publik. Nëse nuk zgjidhet kjo, Lëvizja BESA është e vendosur që bashkë me prindërit e nxënësve të protestojmë para Komunës së Tetovës dhe kjo të mos ndalet derisa të zgjidhet ky problem i nxënësve shqiptarë”, thuhet në reagimin e partisë.

Portalb ka tentuar të marrë prononcim nga Komuna për akuzat nga Lëvizja Besa, po prej aty na thanë se nuk komentojnë deklaratat e subjekteve politike.

“Komuna e Tetovës është e koncentruar në nevojat e përditshme të qytetarëve dhe ju shërben atyre me transparencën më të madhe. Institucioni publik Komuna e Tetovës nuk komenton deklaratat e asnjë subjekti politik”, thonë nga komuna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat