U shënua 22 vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës

Tetova

U shënua 22 vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës

Më: 19 dhjetor 2016 Në ora: 17:29
Universitetit të Tetovës

Universiteti i Tetovës, më 17 dhjetor 2016 e shënoi 22 vjetorin e themelimit.

Gjatë ditës, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, bashkë me familjarët e Prof. dr. Fadil Sulejmanit dhe Abdilselam Eminit, si dhe drejtuesit e tjerë të universitetit, profesorë dhe studentë, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdilselam Emini, si dhe te varri i themeluesit dhe rektorit të parë historik të UT-së, Prof. dr. Fadil Sulejmani.

Për nderë të kësaj date festive për Universitetin e Tetovës, u mbajt edhe një akademi solemne, ku morën pjesë një numër i madh i personaliteteve publike nga vendi dhe rajoni, në mesin e të cilëve edhe rektorë universitetesh, përfaqësues të korit diplomatik dhe spektrit politik, profesorë dhe studentë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, theksoi se 22 vjetët e ekzistimit të Universitetit të Tetovës nuk janë thjesht një numër matematikor, por një korpus i ngjeshur vlerash, që ngërthen në vete një histori të tërë të një populli të përvuajtur, të shtypur dhe të margjinalizuar, por i cili kurrë nuk e humbi shpresën dhe kurajën për një të tashme dhe të ardhme më të mirë. Ai, mes tjerash tha se, 17 dhjetori i vitit 1994 ishte një revolucion për shqiptarët e Maqedonisë, një protestë mbarëpopullore për padrejtësitë historike, një vizion, një projekt largpamës për arsimim dhe emancipim, një hap i madh drejt lirisë dhe demokracisë.

Në këtë akademi, të pranishmëve me fjalë rasti ju drejtua edhe zv.Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Doc. dr. Festim Halili, i cili theksoi se Qeveria e Maqedonisë deri më tani gjithmonë e ka mbështetur Universitetin e Tetovës dhe se të njëjtën gjë do të vazhdoj ta bëjë edhe në të ardhmen.

Në këtë akademi Universiteti i Tetovës laureoi me titullin Doctor Honoris Causa dy personalitete të jetës akademike, profesoreshën gjermane, Prof. Dr. Beate Hen-Memeshaimer dhe Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Arsim Bajrami.

Kryetar i Komisionit Recensues, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së, Prof. dr. Arbër Çeliku lexoi referatin për dy laureatët. Ai tha se Prof. dr. Beate Hen-Memeshaimer gjatë karrierës së saj universitare ka kryer shumë funksione publike, si anëtare senati, shef dege dhe dekane e Fakultetit të gjuhëve dhe letërsisë në Universitetin e Mannheim-it, megjithatë ajo jetën e saj ia ka përkushtuar shkencës dhe ka fituar shumë projekte shkencore, të cilat i ka vënë në dispozicion të pasardhësve të saj dhe studentëve nga e mbarë bota. Prof. dr. Beate Henn-Memmesheimer është nismëtarja dhe punëtorja më e zellshme e ndërkombëtarizimit të Universitetit të Mannheim-it, i cili për një dekadë është njëri ndër universitetet udhëheqëse në Gjermani, gjithë potencialin e saj human, shkencor dhe financiar ajo e ka vënë në mbështetjen e kuadrit të saj mësimor dhe studentëve nga e mbarë bota.

Kjo akademi u begatua edhe me një program artistik, ku para të pranishmëve interpretoi këngët ,,Lule universitet”, dhe ,,Kopshti i dashurisë”, profesori i Fakultetit të Arteve, Selami Kolonja i shoqëruar në Piano nga Taulant Kolonja.
Për nderë të 22 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, ditë më parë, Fakulteti i Kulturës Fizike i UT-së organizoi Marshin Malor me studentët, dhe turnirin në Futboll të vogël. Ky turnir ku garojnë nga një ekip i çdo fakulteti të UT-së, tani më u organizua për të tretin vit me radhë dhe është shndërruar në tradicional. Këtë vit vendin e parë e fitoi ekipi i Fakultetit të Administrimit të Biznesit, në Kumanovë, vendin e dytë e zuri ekipi i Fakultetit të Kulturës Fizike, ndërsa vendi i tretë i takoi ekipit të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat