Shkolla ”Liria” e pret qeverine e re të Maqedonisë

Tetova

Shkolla ”Liria” e pret qeverine e re të Maqedonisë

Më: 22 dhjetor 2016 Në ora: 13:13
Shkolla fillore “Liria” në Tetovë

Deri në fund të gjysmë-vjetorit nxënësit e shkollës fillore “Liria” në Tetovë, do të vazhdojnë të ndjekin mësimet në objektin ku rrezikon të shembet kulmi.

Krahas rrezikut nga kulmi po ashtu edhe në katin e dytë klasat pikojnë kur ka reshje të shiut. Autoritetet e kësaj shkolle theksojnë se kanë nisur një kërkesë të re deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për rregullimin e këtij problemi në këtë shkollë të Tetovës, që llogaritet si më e vjetra në këtë qytet.

Drejtoresha Shpresa Iseini, është pesimiste se në një kohë të shpejtë do të intervenohet në kulmin e shkollës. “Ne kemi dërguar sërish një kërkesë, por mendoj se tashmë në këtë kohë kur qeveria nuk është funksionale dhe nuk të merr vendime vështirë se do të ketë ndonjë lajm pozitiv, kurse ne insistojmë që kjo problematikë të merr epilog sa më shpejtë, sepse rreziku për shembjen e kulmit ekziston”, thotë drejtoresha e kësaj shkolle.

Nga kjo shkollë informuan se paralelisht punohet në adaptimin e hapësirave në shkollën e mesme të mjekësisë, ku të transferohen të paktën nxënësit që mësojnë në katin e dytë në objektin e rrezikuar në shkollën “Liria”. “Shpresoj që gjysmë-vjetori i dytë të fillojë në kushte të tjera, sepse kemi informata se punohet në disa hapësira në shkollën e mesme të mjekësisë që të njëjtat të adaptohen për një pjesë të nxënësve. Por, mendoj se deri në fund të këtij gjysmë-vjetori do të mësohet në objektin ekzistues”, deklaroi Shpresa Iseini.

Kërkesat në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për investime kapitale sipas drejtoreshës, gjithnjë kanë hasur në vesh të shurdhër dhe përgjigjet kanë qenë negative. “Unë vazhdimisht kam bërë kërkesa që në fillim të mandatit tim që të rregullohet puna e shkollës tonë, përgjigjet vazhdimisht kanë qenë negative. Në qershor të këtij viti kam bërë kërkesë që të bëhen investime kapitale, përgjigjja ka qenë negative, por shpresojmë se kjo shkollë do të jetë në programin për investime për vitin e kaluar”, tha Shpresa Iseini, drejtoreshë e shkollës fillore “Liria” në Tetovë.

Ndryshe, është bërë e ditur se në këtë shkollë tashmë gati se dy muaj mësimi ndiqet në tre turne me orar të shkurtuar pasi që prindërit kishin insistuar që nxënësit të mos mësojnë në objekte të ndara, por vetëm në një objekt. Krahas problemit me objektin, po ashtu problem në këtë shkollë janë edhe nyjet sanitare dhe sistemi i vjetruar i rrymës elektrike.

Edhe pse shkolla fillore “Liria” në Tetovë është ndër më të vjetrat në qytet, megjithatë objekti i kësaj shkolle asnjëherë nuk është rindërtuar apo rikonstruar në mënyrë të mirëfilltë, duke bërë kështu që e njëjta të jetë në rrezik për t`u shembur gjithnjë. Përderisa të zgjidhet qeveria e re dhe të fillohet me realizimin e punëve për rregullimin e çatisë së kësaj shkolle, nxënësit janë të ekspozuar në rrezik permanent.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat