Përurohet në Tetovë Agora PanAlbanica

Tetova

Përurohet në Tetovë Agora PanAlbanica

Më: 30 janar 2017 Në ora: 22:48
PanAlbanica

Anëtarët e rrjetit PanAlbanica, studentë, personalitete të njohura e mysafirë të tjerë u tubuan të dielën (29 janar), në Tetovë, për të shënuar përvjetorin e parë të themelimit të këtij rrjeti dhe për të përuruar botimin e numrit të parë të përmbledhjes “Agora PanAlbanica”.

“PanAlbanica është një rrjet njerëzish me botëkuptime që nuk ravijëzohen nga kufijtë, çfarëdo qofshin ata. Thelbi i këtij rrjeti është të menduarit jashtë mureve të vendosura artificialisht në hapësirë, që kanë bërë që ata të vendosen pavetëdijshëm edhe në kokat tona. Qëllimi i rrjetit PanAlbanica është që të jetë një agorë përsiatjesh e debatesh, që do të përpiqet të japë një dorë në shembjen e këtyre mureve në botën e rrjetëzuar e tejet të ndërvarur në të cilën jetojmë sot“, tha Albulena Halili, njëra nga bashkëthemelueset e këtij rrjeti.

Agora PanAlbanica është botim i rrjetit PanAlbanica dhe është pagëzuar sipas rubrikës së këtij rrjeti me po të njëjtin emër. Në këtë përmbledhje të parë janë përfshirë shkrime të botuara në rrjetin elektronik panalbanica.net, gjatë vitit të parë të jetëgjatësisë së tij.

“Shumica e zjarreve bubulakë fillojnë – nga një shkëndijë e vetme. Ta ndihmojmë të gjithë bashkë këtë shkëndijë të bëhet zjarr dhe të përpiqemi ta mbajmë gjallë flakën e tij”, përfundoi fjalën e saj të rastit Albulena Halili, duke i ftuar të gjithë ata që mendojnë njëlloj e që besojnë në këtë vizion, që të bëhen vegëz e këtij rrjeti.

Rrjeti PanAlbanica është themeluar më 17 janar 2016, prej kur edhe ka filluar me botimin e shkrimeve nëpër rubrikat me emërtime tejet unike si: Përtejkumte, Përsiatje e Përsiatje studentore, Mbrothësi, Me tejqyrë, Kult-ura, Shëmbëllime, Gjë(ra)egjëza, Retro-visore e Sport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat