Studentët e Universitetit të Tetovës nuk mund t’i përdorin kartelat elektronike pa pagesë në Shkup

Tetova

Studentët e Universitetit të Tetovës nuk mund t’i përdorin kartelat elektronike pa pagesë në Shkup

Më: 20 shkurt 2017 Në ora: 21:15
Transport publik ne Shkup

Revoltohen studentët e Universitetit të Tetovës pasi nuk mund t’i përdorin kartelat elektronike pa pagesë të transportit urban në Shkup. Studentët thonë se e ndjejnë veten të diskriminuar nga fakti që ata janë me vendbanim në Shkup, por vetëm për shkak se studiojnë në Tetovë, nuk kanë të drejtë t’i përdorin kartelat sikurse studentët e tjerë që studiojnë në Shkup. Të njëjtat kartela thonë ata, vitin e kaluar kanë mundur që t’i përdorin, ndërsa këtë vit u kanë thënë nga transporti publik se është sjellur ligj që të njejtat të mos mund t’i shfrytëzojnë.

“Ditën e hënë isha tek transporti publik i qytetit të Shkupit për ta vazhduar kartelën time si gjithë studentët tjerë që e kanë bërë për vitin 2017…Kur e panë vërtetimin që unë studioj në Tetovë, ma ktheu prapë. Më tha nuk mundet, këtë vit është anuluar për juve që studioni në Tetovë. Unë jam prej Shkupit, si gjithë studentët e tjerë edhe unë kam të drejtë ta shfrytëzoj biletën elektronike pa pagesë”, ka thënë Zulhane Amiti, studente

Studentët edhe më shumë janë revoltuar nga përgjigjja që kanë marrë nga transporti publik. Ata u kanë thënë se nuk kanë të drejtë shfrytëzimi të kartelave elektronike, përshkak se studiojnë në Tetovë dhe jo në Shkup.

“Përgjigjja e tyre ishte shumë arrogante, se ju studioni në Tetovë dhe nuk keni të drejtë mbi këtë kartelë dhe mendoj se është shumë e padrejtë ndaj neve…Edhe unë jam shumë e revoltuar që nuk na u dha ajo e drejtë që të udhëtojmë me ato kartelat që u kanë të mundësuar çdo studenti të udhëtoj. Ne udhëtojmë, kemi obligimet tona, na duhet të shkojmë dikund, psh në bibliotekë. Patjetër e kemi ta përdorim autobusin me pagesë. Pse ne nuk e kemi atë të drejtë si çdo student tjetër”, ka deklaruar për Tv Shennja, Sermije Azemi, studente.

Nga Qyteti i Shkupit, të pyetur se përse kartelat elektronike pa pagesë nuk vlejnë edhe për studentët që studiojnë në Tetovë, ata u përgjigjën se pikërisht nga fakti që ata studiojnë atje dhe jo në Shkup këto kartela nuk vlejnë edhe për ata, sepse Qyteti i Shkupit nuk mund t’i mbulojë edhe studentët që studiojnë jashtë Shkupit.

“Për shkak se ata studiojnë në Tetovë, ne nuk mund që t’i mbulojmë edhe ata. Kartelat vlejnë vetëm për studentët që jetojnë në Shkup. Ndërsa për të tjerët që studiojnë në Tetovë, Veles, Manastir, apo diku tjetër, kartelat pa pagesë nuk vlejnë edhe për ata”, janë përgjigjur nga Qyteti i Shkupit.

Ndryshe, është viti i dytë që studentët kanë të drejtë të përdorin kartela elektronike, me të cilat mund të udhëtojnë pa pagesë me transport urban në Qytetin e Shkupit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat