Lumi Shkumbin vërshohet nga mbeturinat

Tetova

Lumi Shkumbin vërshohet nga mbeturinat

Më: 16 mars 2017 Në ora: 23:15
Mbeturinat në Lumin Shkumbin

Ndotja e ambientit jetësor që është një ndër problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet qyteti i Tetovës, nuk ka kursyer as Lumin Shkumbin, që është një ndër pasuritë natyrore të këtij qyteti, shkruan gazeta Koha. Në vend të ujit të pastër që buron nga Mali Sharr, në këtë lum mund të gjenden mbeturinat nga më të ndryshmet, kjo për shkak të pakujdesisë dhe papërgjegjësisë së qytetarëve, të cilët mbeturinat i hedhin në lum, por edhe për shkak të mungesës së aksioneve më të shpeshta pastruese nga sektorët kompetente të Komunës së Tetovës, për pastrimin e shtratit dhe mbeturinave në Lumin Shkumbin.

Nga Sektori për komunikacion, rrugë dhe tokë ndërtimore pranë Komunës së Tetovës, thonë se Komuna e Tetovës për çdo vit në plan-programin vjetor parasheh edhe pastrimin e shtratit të Lumit Shkumbin, kështu që edhe për këtë vit është paraparë pastrimi. Pritet që të ulet sasia e nivelit të ujit në këtë lum dhe menjëherë të fillohet me pastrimin e mbeturinave dhe shtratit të Lumit Shkumbin.

“Për herë të fundit shtrati i lumit është pastruar në vjeshtën e vonshme të vitit të kaluar. Duke pasur parasysh se uji i Lumit Shkumbin është i shpejtë dhe çdo herë me vete sjell mbetje të ndryshme, pastrimi bëhet çdo vit. Presim që të ndahen mjetet dhe të fillohet me pastrimin e lumit”, tha Hysen Demiri, udhëheqës i Sektorit për tokë ndërtimore dhe komunikacion në Tetovë.

Duke pasur parasysh se hedhja e mbeturinave në Lumin Shkumbin është dukuri e kamotshme, edhe këtë vit nuk ka munguar një gjë e tillë. Por, kanë qenë disa qytetarë të cilët vetë kanë marrë iniciativë dhe e kanë pastruar lumin në afërsi të Galerisë së Arteve Pamore në Tetovë.

Nga Ndërmarrja publike komunale Tetova-Tetovë, thonë se i pastrojnë mbeturinat, por vazhdimisht hidhen të njëjtat, edhe atë jo vetëm tek parku i Xhamisë së Pashës, por edhe në pjesët më të larta të qytetit. Sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrje, disa herë është bërë apel që të mos hidhen mbeturinat. Nga NPK-ja e Tetovës pohojnë se krahas mbeturinave të amvisërisë, po ashtu hidhen edhe mbeturina të mbetjeve ndërtimore që edhe më shumë e rëndon situatën gjatë pastrimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat