Kathimerini: Tetova, qytet i betonit dhe pa gjelbërim

Tetova

Kathimerini: Tetova, qytet i betonit dhe pa gjelbërim

Më: 30 mars 2017 Në ora: 12:16
Tetova

Gazeta greke ”Kthimerini” më 26 mars botoi një reportazh nga Kosta Kukumakas rreth ndotjes së ajrit në qytetin e Tetovës, të cilin e vlerëson si qytetin më të ndotur të Evropës.

Kukumas e nisë raportimin për Tetovën, duke përmendur numrin e banorëve, kombësinë shumicë shqiptare, si dhe nivelin e ndotjes, që sipas tij, tejkalon deri 25 herë nivelin e lejuar, kurse sipas gazetës, Tetova duket si një tenxhere që zien.

Kathimerini ka përfshirë në raportin e saj për Tetovën, edhe të dhënat e publikuara në ”The Guardian”, që sipas të dhënave të analizuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Tetova ishte radhitur e para, ndërkaq edhe Shkupi e Manastiri ishin të përfshira në qytetet më të ndytura. Sipas gazetës, qeverisja lokale u mundua të sfidojë këto të dhëna, duke thënë se “ne jemi në të vërtetë të ndotur, por jo në vendin e parë.”

Sipas Kathimerini, gazeta britanike ka përmendur grimcat PM 2.5 që depërtojnë dretjpërdrejtë në trupin e njeriut, grimca të cilat nuk maten nga institucionet zyrtare në Maqedoni.

Gazeta greke citon deklaratën e Arianit Xhaferit nga eco Guerilla të ketë thënë se “Qeveria deshtoi të zbatojë legjislacionin mjedisor, duke lejuar fabrikat e epokës komuniste të veprojnë deri më sot, pa filtra dhe kufizime. Përveç kësaj, në Tetovë nuk ka shërbim urban publik dhe të gjithë lëvizin me makina me naftë të teknologjisë së vjetër.”

Në reportazhin e gazetës Kathimerini ka zënë vend edhe vendimi i Ministrisë së mjedisit për të pezulluar punën e kombinatit metalurgjik ”Jugohrom”, që sipas gazetës, ndikoi në uljen e mikrobeve për 50%. Gazeta përmend se kompania që menaxhon me kombinatin ka bazë në Qipro, edhe pse menaxhohet nga rusët.

Gazeta përmend protestat e organizuara nga Eco Guerilla, që në fillim ishin mjaftë të pakta, por që arritën kulminacionin kur në qytet, sipas gazetës, dolën rreth 12 mijë persona për të mbështetur këtë OJQ.

Kathimerini e përshkruan deponinë në hyrje të Tetovës si mjaft revoltuese, ndërkaq përfshinë edhe kërkuesit e plastikës, pra romët, në një gjendje të mjerrueshme. Gazeta bën të ditur se ka intervistuar edhe kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifin, e cila sipas gazetës, e minimizoi situatën me faktin e mbylljes së kombinatit ”Jugohrom”, duke përmendur masat për pastrimin e deponisë në hyrje të qytetit.

Në përshkrimin që i bën Tetovës, Kathimerini vlerëson se kemi të bëjmë me një qytet betoni ku nuk ka transport publik, me probleme në arkitekturë, pa pemë, pa gjelbërime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat