Drejtim i ri në shkollën e mjekësisë

Tetova

Drejtim i ri në shkollën e mjekësisë

Më: 5 prill 2017 Në ora: 22:16
Shkolla e mjekësisë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur konkurs për pranim të nxënësve në vitin e ri shkollor 2017/18 në shkollat e mesme të vendit. Me këtë rast, për gjashtë shkollat e mesme që janë në kuadër të Komunës së Tetovës, janë paraparë 105 paralele, ndërsa vende të lira ka për 3540 nxënës, shkruan gazeta Koha. Ahmet Qazimi nga Sektori për arsim në Komunën e Tetovës, njofton se vitin shkollor gjithsej në të gjitha komunat rurale të rajonit të Tetovës e përfundojnë 2098 maturantë.

“Pritjet janë që këtë vit të regjistrohen rreth 1800 nxënës, ndërsa nxënësit do të pranohen sipas pikëve që do të marrin gjatë regjistrimit. Në një paralele janë paraparë të regjistrohen rreth 25 nxënës, ndërsa në Shkollën e mesme të mjekësisë ‘Nikolla Shtejn’, për t’u pranuar maturantit i nevojiten 70 pikë, ndërsa në gjimnazin ‘Kiril Pejçinoviq’ dhe në shkollën e mesme ekonomike ‘8 Shtatori’ për t’u pranuar maturanti duhet të ketë 60 pikë. Në shkollat tjera nxënësi duhet të ketë prej 30 deri në 40 pikë”, tha Ahmet Qazimi.

Ai më tej njoftoi se këtë vit në bazë të sugjerimeve të Ministrisë së Arsimit për reformën në drejtimet e shkollave të mesme do të hapet një drejtim i ri në shkollën e mesme të mjekësisë.

“Në bazë të sugjerimeve prej 80 drejtime të reja nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, këtë vit do të kemi drejtimin e ri në shkollën e mesme të mjekësisë. Bëhet fjalë për drejtimin për përkujdesës. Për drejtimet tjera të reja, jemi duke bërë plan dhe duke shqyrtuar kuadrin dhe hapësirat që disponojmë, pastaj të hapim drejtime të reja që mungojnë në shkollat e Tetovës, por edhe që janë të nevojshme për tregun e punës”, deklaroi Qazimi.

Sipas tij, vitin e ardhshëm shkollor nuk është paraparë që të mbyllet ndonjë drejtim në shkollat e mesme të Tetovës.

Gjithsej në shkollat e mesme janë paraparë 105 drejtime, ndërsa sipas praktikës së viteve të kaluara, gjithsej janë plotësuar 87 paralele. Si gjithmonë maturantët në afatin e parë më shumë orientohen në mjekësi dhe në gjimnaz, ndërsa në afatin e dytë në shkollat tjera të mesme, gjegjësisht në shkollën e bujqësisë dhe tekstiles.

Këtë vit regjistrimi i nxënësve do të bëhet në dy afate, edhe atë afati i parë është më 28 dhe 29 qershor, kurse afati i dytë është më 24 gusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat