Në mungesë të ujit në Tetovë, improvizojnë çezma

Tetova

Në mungesë të ujit në Tetovë, improvizojnë çezma

Më: 9 prill 2017 Në ora: 19:51
Ilustrim

Fuçi plastike të mbushura me ujë dhe të vendosura para dyerve të shtëpive. Kjo është mënyra e vetme që banorët e lagjes Koltuk të Tetovës të improvizojnë çezma me ujë. Terpez Simjanovski thotë se kur vjen uji në ato pak minuta, detyrohen të mbushin ujë në shishe plastike dhe shton se shishe të mbushura me ujë ka gjithandej shtëpisë së tij.

“Ejani dhe shikoni shishet me ujë, të gjitha këto shishe janë të mbushura me ujë. Ne i paguajmë të gjitha faturat dhe përsëri nuk kemi ujë. se çfarë po punohet nuk e dimë se ku qëndron problemi”, tha për TV21 Terpez Simjanovski.

Ky problem është i përditshëm për banorët e kësaj lagje. Ndërsa, kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi këtë javë prezantoi përfundimin e e punimeve për gypin e fundit të ujit prej 9 kilometrave, që me këtë i jepet fund rregullimit të rrjetit të ujësjellësit.

Sipas saj, projekti për vendosjen e gypave të ujit në gjatësi prej 9 kilometrave ka kushtuar 2 milionë euro, kurse edhe për stacionin e filtrimit të ujit, shuma do të jetë po ajo. Mjetet financiare për realizimin e projektit final sigurohen me anë të kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pas vendosjes dhe vënies në funksion të stacionit filtrues, nga komuna thonë se do të rritet kapaciteti i furnizimit me ujë në qytet edhe për 220l/sek, me çka pritet të përmbyllet përfundimisht kapitulli 20 vjeçar i mungesës së ujit të pijshëm për qytetarët e Tetovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat