Vetëpunësimi, rritet interesimi në Tetovë dhe rrethinë

Tetova

Vetëpunësimi, rritet interesimi në Tetovë dhe rrethinë

Më: 1 qershor 2017 Në ora: 22:07
Ilustrim

Në Tetovë ka filluar të shtohet interesimi i qytetarëve, sidomos i shqiptarëve që kërkojnë punë në Agjencioni për Punësime. Ndonëse në të kaluarën ka pasur të ashtuquajtura masa për vetëpunësim, këtë javë ka filluar të zbatohen një masë e re, gjegjësisht cikli i dytë përmes grantit prej 4000 eurove për vetëpunësim. Nga Agjencioni për Punësim në Tetovë thonë se ka interesim edhe për këtë kategori.

“Konkretisht prej të hënës është bërë shpallja e dytë, domethënë cikli i dytë për këtë vit, i cili parasheh mjete pakshim, në vlerë prej 4000 euro. Aplikues për këtë vit mund të jenë të gjithë të papunësuarit, të cilët në formë aktive kërkojnë punë. Aplikimi bëhet në formë elektronike ose drejtpërdrejt tek ne, pastaj mbahen trajnimet katër ditore me punëdhënësit, të cilët janë të aftësuar dhe mund të bëjnë trajnimin e kuadrit, i cili ka ndërmend që të bëj një ndërmarrje familjare apo një ndërmarrje individuale. Varësisht prej biznesit të cilin e parashohin ata paguhet vlera prej 4000 eurosh në faturë, mjete të gatshme për përgatitjen e objektit, makinerisë së punës, varësisht në cilin profesion do të orientohen. Faza e aplikimit zgjatë 2 javë. Ka një pyetësorë që plotësohet nga ana e të papunësuarit në bashkëpunim me referentin e punësuar, i cili merret me këtë projekt”, thotë për koha, Abdylxhelal Jonuzi nga Agjencioni për Punësime në Tetovë.

Ai thekson se në ciklin e parë ka pasur shumë të interesuar për këtë masë, gjegjësisht 75 persona kanë marrë këtë grand. “Ky projekt zgjat afërsisht 3 muaj, deri sa të realizohet dhe të bëhet finalizimi i komplet projektit. Me ciklin e parë numri i përgjithshëm të cilët e kanë marrë këtë grant është 75, që është një numër mjaft i konsiderueshëm dhe janë firma të cilat e kanë kaluar këtë fazë janë në realizim e sipër dhe në regjistrim e sipër për shkak se regjistrimi i firmës mbulohet nga ana e projekt, nuk ka shpenzime për regjistrim komplet është nga ana e vet projektit shuma e përgjithshme e këtij projekti është e apostrofuar prej 246 mijë denarë ose 4 mijë euro”, shprehet Jonuzi.

Megjithatë, viteve të fundit është rritur dukshëm numri i qytetarëve që konkurrojnë në këto grante, ndonëse shqiptarët shumë pak kanë qenë të interesuar. “Kështu përllogaritje në baza etnikë në përqindje ne nuk kemi bërë aplikuesit janë të nacionaliteteve të ndryshme, mirëpo duke marrë parasysh se shqiptarët janë më të shumtë në bazë të përqindjes që gravitojnë në Komunën e Tetovës, shumica duhet që të jenë shqiptarë”, deklaroi Jonuzi. Në përgjithësi në Tetovë viteve të fundit janë shtuar dukshëm bizneset e vogla, me një apo dy të punësuar, kryesisht janë butiqe, sallone ondulimi, kryesisht biznese që u përshtaten gjinisë femërore. “Dy tre vitet e fundit numri është mjaft i konsiderueshëm mbi 500 vetë e kanë fituar këtë grand dhe 95 për qind janë ekzistues në tregun e punës, domethënë funksionojnë dhe punojnë në profesione të ndryshme si automekanik, elektricist, fasader dhe kështu me radhë varësisht prej profesionit”, deklaroi Abdylxhelal Jonuzi nga Agjencioni për Punësime në Tetovë.

Nga kjo qendër nënvizojnë se numri i atyre që kërkojnë punë në Tetovë është mbi 14 mijë, megjitse numri i atyre që janë jo aktiv apo që paraqiten në agjencion vetëm dy herë në vit, sillet rreth tre mijë. Ndonëse në të kaluarën këto shifra kanë qenë dyfish më të mëdha, kohëve të fundit zvogëlimi i numrit zyrtar i papunësisë është si pasojë e ikjes masive të rinisë dhe moshës madhore nga Maqedonia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat