Zjarret, situatë alarmante në fshatin Gurgurnicë të Tetovës

Tetova

Zjarret, situatë alarmante në fshatin Gurgurnicë të Tetovës

Më: 6 gusht 2017 Në ora: 16:42
Ilustrim

Edhe përkundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Makedonski Brod dhe në Çashkë, situata me zjarret është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik, kështu shprehet Drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim Shaban Saliu.

Sipas tij zjarret ngadalë po lokalizohen, ndërsa në ndihmë të shtetit, kanë ardhur edhe katër fluturake për shuarje të zjarrit nga Bullgaria, Turqia, dhe Izraeli. Drejtori Saliu ka bërë thirrje deri tek subjektet politike që të mos e keqpërdorin situatën me zjarret për poenë të imët politik dhe të shkaktojnë huti dhe panik tek qytetarët.

"Gjithkund ku kemi qasje mundohemi të veprojmë, atje ku kemi male të larta dhe nuk kemi qasje atëherë i lëshojmë fluturaket. Nga shtetet mike janë kyçur dy helikopter nga Turqia dhe Bullgaria, mbrëmë vet na ofruan ndihme përmes konsullit edhe nga Izraeli. Është turp i madh  që në këtë fatkeqësi të fitohen pikë politike, lus politikën të heq duart nga zjarret për politikën ditore" – tha Shaban Saliu, drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim.

Por edhe përkundër deklaratës optimiste Shaban Saliut, në Tetovë gjegjësisht në fshatin Gurgurnicë situata paraqitet shqetësuese dhe jashtë kontrollit.

"Jemi në vendngjarje dhe bashkë me banorët e Gurgurnicës që nuk heziton të ndihmojnë në shuarjen e  zjarrit mjaft të madh që është afruar tashmë afër fshatit Gurgurnicë. Sipas banorëve, helikopterët vetëm kanë fluturuar mbi këtë vend dhe kanë incizuar, por duhet të marrin masa që sa më shpejtë të parandalohet ky zjarr sepse me automjetet tona nuk kemi qasje. Terreni është mjaft i vështirë, pra duhet vetëm drejtoria të intervenojë me anë të avionëve dhe helikopterëve që kanë" – tha Uka Aliti, njësia e zjarfiksëve, Tetovë.

Për momentin në tërë territorin e shtetit janë aktive 12 vatra më të mëdha të zjarrit, edhe atë në Makedonski Brod, Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Çashkë.Lëvizja e personave civil nëpër male është ndaluar tërësisht. Përndryshe, pas vitit 2007, sivjet vatrat e zjarrit janë më të mëdhatë e shënuara të dekadës së fundit, të cilat deri më tani, përveç katër shtëpive të djegura, kanë marrë edhe një viktimë në Luboten, i cili dyshohet të jetë djegur nga zjarri që ka përfshirë rajonin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat