Zjarri në deponin e egër të Tetovës, banorët në protestë

Tetova

Zjarri në deponin e egër të Tetovës, banorët në protestë

Më: 20 gusht 2017 Në ora: 15:37
Protesta e banorëve

Vazhdon edhe më tej të digjet deponia në Tetovë, por me intensitet më të ulët nga ai i ditës së djeshme. Ekipi i zjarrfikësve të Tetovës, kanë punuar gjatë gjithë natës për lokalizimin e zjarrit dhe sipas Shefit të zjarrfikësve, i njëjti është vënë nën kontroll.

Sot situata në këtë vend është shumë më e mirë, meqë zjarri është vënë nën kontroll të plotë nga njësia territoriale kundër zjarrit dhe është i lokalizuar- tha Uka Aliti, komandant i zjarrfikësve Tetovë

Megjithatë ndezja e Deponisë ka ngritur në këmbë banorët e Tetovës të cilët revoltën e tyre e shprehën përmes protestës, madje duke hedhur plehra në hyrje të komunës dhe duke gjuajtur me vezë godinën e Komunës.

“Gjendja momentale është katastrofale, mbeturinat duhet të hiqen prej aty. Duhet të dislokohet në vend të posaçëm, momentalisht qytetarët janë të revoltuar dhe kërkojmë nga institucionet të marrin masa për largimin e deponisë”.

“Komuna është përgjegjëse përse ka bërë stacion për ngarkim shkarkim që 13 vite është e përkohshme. Përse nuk ka siguruar kushte ta rrethojë atë të vendos roje aty që tymos ndizet, tash pasi u ndez qenka dikush tjetër përgjegjës- shprehen banorët.

Nuk kanë munguar as reagimet e shumta përmes rrjeteve sociale. Tetovarët kanë dënuar të gjitha tentimet që t’i jepet konotacion politik problemit, duke theksuar se politika po luan me jetën e qytetarëve.

Nga lëvizja kundër ndotjes së ajrit, Eco Guerilla, kanë dënuar siç shprehen lojërat politike, pasojat e cilave i bartin banorët. Ata në deklaratën e kreut të Komunës për zjarrëvenie të qëllimshme, shohin ikje nga përgjegjësia.

Pavarësisht se si është ndezur dhe kush e ka ndezur atë zjarr, ne dënojmë ashpër këto lojëra politike partiake sidoqofshin ato sepse vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve të Pollogut e më gjerë. Kemi alarmuar shumë herë, kemi kërkuar që deponia të dislokohet por fatkeqësisht kemi parë që nuk kanë pasur interes që të mbrojnë shëndetin e qytetarëve të Tetovës dhe nga këtu del pyetja se përse është dashur që të presim katër vite, tetë apo dhjetë për një investim që kushton 100 000 euro- tha Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla.

Përgjegjësi për rastin, përmes një reagimi kanë kërkuar edhe nga LR-PDSH-ja. Ata kërkojnë llogari për helmimin e Tetovarëve, si nga komuna po ashtu edhe nga Ministria e Ekologjisë.

Thellë të shqetësuar nga kjo “bombë” helmuese, kërkojmë përgjegjësi nga krerët Komunal të Tetovës, që për një kohë të gjatë nuk po e gjejnë zgjidhjen e kësaj deponie, që po shndërrohet në katastrofë ekologjike. Njëkohësisht kërkojmë përgjegjësi edhe nga Ministria e Ekologjisë dhe qeveria e RM-së, që t’ju japë fund problemeve me deponitë e egra, që fatkeqësisht janë prezentë në Komuna relativisht të banuara me shumicë shqiptare- thuhet në reagimin e LR-PDSH-së.

 Në ndërkohë Qeveria sot ka dërguar Samka Ibraimovski, ministër pa resor për tu njohur me problemin në vend dhe për të raportuar në mbledhjen e radhës të qeverisë.

Në emër të qytetarëve dhe në emër të Qeverisë, sot kam ardhur për të parë se çka ngjarë dhe të martën ta informoj Qeverinë. Apeloj kryetares që të gjej mënyrë sa më shpejt ta heq deponinë nga këtu dhe të mos ketë këtu më mbeturina, por të dërgohet atje ku duhet- deklaroi  Samka Ibraimovski, ministër pa resor.

Sipas Ibraimovskit qeveria të martën do të diskutoj rreth çështjes së deponisë, në ndërkohë nuk përjashtohen edhe protesta masive nga banorët e Tetovës dhe fshatrave përreth.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat