Biblioteka e Tetovës shumë libra, pak hapësira

Tetova

Biblioteka e Tetovës shumë libra, pak hapësira

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 18:43
Librat ne bibiloteken

Shtypi ditor i bibliotekës së Tetovës i lindur që nga viti 1945, edhe më tej vazhdon të ruhet të hapësirë të papërshtatshme dhe të shkatërrohet dita ditës, si pasojë e mungesës së hapësirës për radhitje dhe mirëmbajtje.

Edhe përkundër kërkesave të shumta drejtuar Ministrisë së Kulturës në 15 vitet e fundit, problemi akoma vazhdon të injorohet.

"Shkaku i mungesës së hapësirës, jemi të detyruar që atë pjesë të materialit ta vendosim në hapësirat e Qendrës për kulturë. I kemi vendosur në atë formë që nuk janë në shërbim të lexuesve apo qytetarëve sepse nuk ka një radhitje adekuate. Vetë vendosja e tyre në atë hapësirë nuk të jep mundësinë që të ruhen dhe konservohen në formën më të mirë, nuk ka kushte për tu mirëmbajtur"- deklaroiMahi Murtezani, drejtor i Bibliotekës së Tetovës.

Pikërisht për mungesë hapësire, biblioteka e Tetovës nuk ka ekspozuar akoma as librat e përkthyer sipas një projekti të Qeverisë. Hulumtuesit shkencor, ankohen se nevoja për këto materiale është tejet e madhe, ndërkohë që mundësia për t’i hulumtuar është shumë e ulët. Profesori Nebi Dervishi, ka punuar për gati një muaj në këtë hapësirë, por shprehet se, është vështirë të gjesh materialin e nevojshëm në libra që nuk janë të radhitura.

"Ato libra të lidhura në atë formë ishin lënë në mëshirë të fatit, i kishte mbuluar pluhuri saqë diku edhe dhëmbi i kohës kishte filluar t’i shkatërrojë. Ajo ishte një mjerim në vete. Mu desht kohë me ekipin prej disa studentëve që më ndihmuan për t`i sistemuar pak a shumë, t’i grumbulloj"- tha profesori universitar Nebi Dervishi.

Biblioteka e Tetovës, pas asaj universitare të Shkupit, dhe të Manastirit, është më e madhja në Maqedoni me numër lexuesish dhe fond librash. Megjithatë biblioteka e Shkupit dhe e Manastirit funksionojnë në hapësira prej mbi 10 000 metra katror, ndërsa biblioteka e Tetovës, rreth 150 000 tituj i ka të radhitura në vetëm 200 metra katror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat