Buxheti i miratuar në labirinte institucionale

Tetova

Buxheti i miratuar në labirinte institucionale

Më: 13 janar 2018 Në ora: 10:43
Teuta Arifi

Ndonëse Buxheti i Komunës së Tetovës është miratuar, megjithatë pritet që të ketë komplikime për miratim në Ministrinë e Financave. Komplikimi mund të ndodh për shkak se nuk është zgjedhur ende kryetari i Këshillit, ndërsa kryesuesi i seancës që ka qenë – këshilltarja më e vjetër nuk ka të drejtë të nënshkruajë Buxhetin. Situatë e këtillë mund të ndodh edhe në komunat tjera ku nuk është zgjedhur kryetari i Këshillit. Kryetarja e Komunës së Tetovës thekson se kjo nuk duhet të jetë problem dhe se kanë kërkuar mendim edhe nga ana e Inspektoratit të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

“Ne kemi kërkuar paraprakisht këtë mendim dhe siç e dini – përpara mbledhjes që kemi mbajtur për Buxhetin, kemi kërkuar mendim nga Inspektorati për çështje lokale, dhe ai mendim tashmë është dërguar edhe në Ministrinë e Financave. Dhe ne, në bazë të atij mendimi, megjithatë është e mundur të mbahet një mbledhje dhe të sjellë vendime të plotë fuqishme Këshilli me shumicë të votave, d.m.th është i mundshëm, është legale dhe është ligjore. Për arsye se, llogaritni një mundësi që, për shembull – kryesuesi i zgjedhur i Këshillit të zëmë eventualisht ti ndodhë një aksident, të ketë ndonjë s’mundje e kështu me radhë, çka do të thotë ajo? Ajo do të thotë se mos mbajmë mbledhje për buxhet, mos sjellim buxhet, mos sjellim vendime…, me këtë argument dhe mendimi që është dërguar nga ana e Inspektoratit na bënë të qartë se çështjen e buxhetit ne nuk e llogarisim problem”, deklaroi kryetarja Teuta Arifi, shkruan koha.

Ajo më tej nënvizon se sa i përket pushtetit lokal në aspektin e funksionimit – partitë duhet që t`i lënë politikat ditore dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve.

“Duhet sa më shpejtë të arrijmë të zgjedhim edhe kryesuesin e Këshillit. Ajo normalisht është e rëndësishme dhe besoj që tani me fillimin e vitit, do të arrijmë ta mbyllim këtë çështje, që më lehtë dhe më me intensitet të mbajmë mbledhjet e rregullta të Këshillit. Është kohë që u është dashur partive politike, grupeve të këshilltarëve dhe unë mendoj që kjo kohë që i duhet ndoshta politikës për të arritur marrëveshje të veta, nuk duhet të paguhet nga ana e qytetarëve”, deklaroi Arifi. Më tej, ajo falënderoi këshilltarët që votuan Buxhetin e Komunës së Tetovës.

“Unë edhe njëherë ju falënderohem jashtëzakonisht këshilltarëve që para vitit të ri nuk e lanë Komunën e Tetovës pa e kryer këtë obligim. Kurse besoj se edhe gjatë këtij muaj, do të arrihet të kryhet edhe zgjedhja e kryetarit të Këshillit. Unë gjithmonë nisem nga logjika se komunat nuk janë qeveri, komunat nuk kanë as kapacitet, as mundësit, as poste qeveritare të mëdha për të ndarë, mendoj se ne do arrimë që të merremi vesh”, tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Në Tetovë ende nuk është krijuar shumica në Këshillin e komunës apo ende nuk është zgjedhur kryetar i Këshillit, megjithëse edhe pse kishte dy tentativa – të njëjtat dështuan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat