Tetovë, varrosen pesë anëtarët e familjes që humbën jetën nga zjarri

Tetova

Tetovë, varrosen pesë anëtarët e familjes që humbën jetën nga zjarri

Më: 26 janar 2018 Në ora: 15:33
Pamje nga varrimi

Pesë viktimat e zjarrit të një dite më parë në Tetovë u varrosën sot në varrezat e qytetit. Shokë, miq e familjarë të të ndjerëve, përcollën të dashurit e tyre për në banesën e fundit.

Komuna e Tetovës ka shpallur tre ditë zie për tragjedinë që ndodhi në familjen Zulbehari ku humbën jetën katër fëmijët dhe e ëma e tyre Fatimja 39 vjeçe. Flamujt para komunës sot u lëshuan në gjysmë shtizë. Në seancën e sotme të këshillit komunal po ashtu u mor vendim që familjes Zulbehari, t’i ndahet edhe një ndihmë financiare prej 2 milion denarësh, si dhe ndihmë për rikthimin e shtëpisë në gjendjen e mëparshme.

Dua të shpreh ngushëllimin tim familjeve që përveç shtëpive, në këtë tragjedi humbën edhe të afërmit e tyre. Në emër të institucionit komunë ju siguroj që kemi bë dhe do bëjmë edhe më tutje më të mirën për qytetarët tanë, shtëpitë do t`i ndërtojmë por nuk do i kthejmë në jetë zemra që pafundësisht kërkojnë njëra tjetrën – deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, njofton Alsat M.

Edhe Qeveria, ka marrë vendim për ndarjen e 300 mijë denarë në adresë të familjes së viktimave. Prokuroria edhe sot nuk ka dalë me të dhëna lidhur me arsyet e shpërthimit të zjarrit në shtëpinë e familjes Zulbehari, ndërkohë që vazhdojnë dyshimet se, i njëjti mund të jetë përhapur nga koftori. Raport nuk ka as nga ekspertiza mjekoligjore, e cila duhet që të precizoje nëse në fillim ka ndodhur asfiksimi i pesë viktimave, apo kanë humbur jetën nga rënia e kulmit të djegur mbi ta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat