Tregu i Tetovës, pa kushte dhe pa blerës

Tetova

Tregu i Tetovës, pa kushte dhe pa blerës

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 22:05
Ilustrim

Gjendja në tregun e gjelbër të Tetovës janë shumë të vështira sidomos në këtë periudhë kohore kur temperaturat kanë shënuar ulje dhe pamundëson zhvillimin normal të veprimtarisë tregtar të atyre pak tregtarëve, të cilët kanë dalë për të shitur produktet e tyre për shkak se shumica kanë braktisur tezgat për shkak të ftohtit, shkruan gazeta KOHA.

Ata pak tregtarë, të cilët edhe në kushte ekstreme vazhdojnë që të punojnë, shprehen të indinjuar për shkak se shitja ka rënë dukshëm, ndërsa tregu nuk plotëson as kushtet minimale për tregti. Në këtë treg mungon ndriçimi, nuk ka higjienë, tregu është i hapur, ftohti depërton nga të gjitha anët dhe ndikon në prishjen e produkteve që tregtarët shesin. Mungojnë gjithashtu tualetet publike, parkingjet, megjithatë edhe përkundër të gjitha vështirësive – disa tregtarë dalin për të shitur për shkak se nga shitja e produkteve të tyre varet mbijetesa.

“Dimrit është ftohtë, verës është shumë vapë, nuk ka asnjë kusht elementar për të punuar normalisht. Jashtë tregut kemi edhe shitës të tjerë që nuk paguajnë asnjë denarë dhe ata dëmtojnë shumë punën tonë”, thotë për KOHA, Gëzimi – një shitës në tregun e gjelbër në Tetovë.

Ndërkaq, sipas ligjit të ri për tregtarët në tregun e gjelbër në Maqedoni, të miratuar në seancën e 13 të Kuvendit të Maqedonisë, Tregtarët në Maqedoni nuk do të fiskalizohen deri në hyrjen e vendit në BE, kurse regjistrimi i firmës nuk do të bëhet në Regjistrin qendror, por do të jepen licenca nga ana e Odës së Tregtarëve.
Nga Oda e Shitësve, e cila do t’i jep licencat , thonë se në këtë mënyrë do të zgjidhet një numër i madh i problemeve me të cilat ballafaqohet kjo kategori e qytetarëve vite me radhë. Me marrjen e licencës, shitësit automatikisht do të figurojnë si të punësuar. Lidhur me këtë tregtarët në Tetovë thonë se fillimisht duhet që të rregullohen kushtet në treg dhe më pas të marrin licenca.

“Është mirë që të kemi licenca dhe të dihet numri i tregtarëve. Po ashtu, me këtë do të vendoset rend në treg por këtu nuk ka kushte elementare për punë”, pohojnë tregtarët.

Për dallim nga tregu i Tetovës dhe shumë tregje të tjera në qytetet e Maqedonisë Perëndimore, tregjet në qytetet e Maqedonisë Lindore kanë kushte shumë më të mira. Disa nga ato janë edhe të izoluar, me qëllim që edhe gjatë dimrit të jenë funksional dhe të punojnë me kapacitet të plotë ndërsa tregu i gjelbër në Tetovë është lënë në mëshirë të fatit edhe përkundër faktit se tregtarët të cilët veprimtarinë e tyre tregtare e realizojnë brenda hapësirave të tregut për tezgat që i shfrytëzojnë, ndërmarrjes publike komunale Tetova – Tetovë i paguajnë nga tre mijë deri në pesë mijë denarë në muaj.

Shumica nga tregtarët të cilët veprimtarinë e tyre e realizojnë në tregun e gjelbër, kanë braktisur tezgat e tyre për shkak të ftohtit të acartë, ndërsa ata të cilët edhe në këto kushte ekstreme të motit kishin dalë për të shitur produktet e tyre, shprehen të indinjuar se shitja dukshëm ka rënë dhe malli i cili ngrin dhe prishet nga i ftohti nuk kompensohet nga askush. Ata ankohen se prodhimet e tyre nuk rezistojnë në këto temperatura dhe pjesa dërmuese e tyre prishen, kurse të njëjtat nuk u kompensohen. Tregtarët thonë se nga shitja e produkteve të ndryshme varet mbijetesa e tyre. Gjatë kësaj kohe, gjithnjë e më pak shitës dalin në tregun e gjelbër, pikërisht për shkak të ftohtit dhe vendosin që këto ditë të acarta të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa ata që janë në këtë treg vetëm disa orë qëndrojnë dhe largohen. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat