“Sanimi i gropave në Tetovë, kur të ngrohet koha”

Tetova

“Sanimi i gropave në Tetovë, kur të ngrohet koha”

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 11:49
Ilustrim

Qytetarët e Tetovës ankohen se shumë ngadalë janë duke u sanuar problemet në infrastrukturë. Qytetarët më problem e kanë me një pjesë të parregulluar të trotuarit Ilirija, dhe sanimin e gropave nëpër disa rrugë të qytetit të Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Ata theksojnë se krahas këtyre problemeve – janë duke hasur edhe në puseta të vjedhura apo të dëmtuara përgjatë rrugës Industriale. Këto janë disa nga problemet me të cilët qytetarët e Tetovës janë duke u përballur në këtë periudhë.

“Në rrugën Industriale, kohëve të fundit janë duke u vjedhur dhe dëmtuar pusetat dhe kemi shumë probleme gjatë lëvizjes, sidomos gjatë orëve të natës, sepse rrezikojmë të biem në gropë. Poashtu, kjo është rrezik edhe për fëmijët kur kthehen nga shkolla, sepse ata janë të vegjël dhe nuk dinë të mbrohen, prandaj duhet që urgjentisht të vendosen puseta të reja në trotuarin që është afër rrugës Industriale”, thotë Bujari, një banor i kësaj lagje. Më tej, problem në vete janë edhe gropat edhe në shumë rrugë të Tetovës, ndërsa nuk mungojnë edhe gropat në rrugët që para pak kohe janë asfaltuar. Qytetarët janë të irrituar se pse kjo ndodh pikërisht në rrugët që janë asfaltuar gjatë verës së shkuar.

“Në këtë rrugën që është nga shkolla e mesme e muzikës e deri tek stadiumi, nuk mund të kalohet pa patur ndonjë gropë. Vetëm javën e parë kemi qarkulluar lirshëm pa probleme,kurse më pas filluar prerjet për të rregulluar gypat e ujësjellësit, në disa vende vet është dëmtuar. Kemi shumë probleme dhe kjo nuk është normale, kaq shpesh të kemi probleme me gropat”, thotë Bajrami, një vozitës. Në ndërkohë, nga Sektori për Tokë Ndërtimore dhe Komunikacion në Komunën e Tetovës kanë thënë se është hapur tenderi dhe pritet që muajin e ardhshëm të fillohet me sanimin e gropave.

“Janë ndarë mjetet e nevojshme për sanimin e gropave në rrugët e qytetit dhe në rrugët tjera që janë në kompetencë të Komunës së Tetovës. Kur të lejojnë kushtet, do të fillohet me mbushjen e këtyre gropave dhe kjo është në bazë të programës për punë për këtë vit”, deklaroi Arsim Nuredini, udhëheqës i Sektorit për Tokë Ndërtimore dhe Komunikacion në Komunën e Tetovës. Në ndërkohë, problem që gjatë kësaj periudhe është shfaqur është edhe rruga për në Banjat e Tetovës.

Tashmë një kohë të gjatë rruga në këtë pjesë të qytetit vazhdon të jetë e dëmtuar, por edhe e parregulluar, ndërsa krahas rregullimit të rrugës, duhet që urgjentisht të merren masa për ndalimin e erozionit të dheut përgjatë kësaj rruge. Sipas vozitësve, kjo dukuri nuk është e panjohur në qytetin e Tetovës pasi që shpeshherë gropat që duhet të sanohen – me ditë të tëra qëndrojnë të prera dhe mbulohen me asfalt me shumë vonesë. Qytetarët apelojnë që komuna duhet në kohë dhe në mënyrë të rregullt të kontrollojë problemet në infrastrukturë, sidomos në hapësirat publike që të vërtetojnë dëmtimet dhe në kohë të sanohen. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat