Tetovë, reshjet e borës bllokojnë fshatrat

Tetova

Tetovë, reshjet e borës bllokojnë fshatrat

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 15:29
Ilustrim

Reshjet e dendura të borës, si zakonisht kanë shkaktuar bllokim të fshatrave në malësinë e Tetovës, pjesërisht rrugët dytësore të qytetit si dhe disa pjesë të Komunës së Gostivarit e Strugës. Qytetarët ankohen se këto skena vazhdimisht përsëriten kurse institucionet nuk ndërmarrin masat e duhura.

Pothuajse të pakalueshme dhe në në gjendje më të vështirë kalimi në rrugët e fshatrave Xhermë, Brodec, Bozovcë dhe pjesa e epërme e Shipkovicës.

"Ma vështirë se në Malësi ku mund të ketë, askund. Kjo duhet të pastrohet para pastaj pjesët e rrafshta. Çka do kërkojmë prej komunës, komuna vetë i din punët e veta çka duhet t`i bëj. Natyrisht se duhet të pastrohet kjo, jo një herë në 24 orë të kalojë një pastrues".

"Ti a nuk sheh? Aspak s’i pastrojnë. Ja tek ambulanca ku janë fëmijët, asnjëherë nuk kalon, shiheni vetë dallohet. Më mirë në Strumicë të ishim se sa këtu".

"Duket e gjithë puna, tregon puna vetë”.

"E patë vetë, ekskavatori rrinte aty, falë juve që erdhët, u pa dhe filloi" – tonë banorët e zonës

Për shkak të pakalueshmërisë së rrugëve, nga shtëpia e Shëndetit në Tetovë kanë anuluar vaksinimet e planifikuara në këto fshatra. Ata thonë se e kanë të pamundur të ngjiten në malësi me makinat që posedon ndihma e shpejtë.

Nga komuna e Tetovës thonë që makineria është në terren dhe po pastron borën, por reshjet e vazhdueshme pamundësojnë pastrimin e plotë.

"Gjatë ditës së djeshme dhe natës së mbrëmshme kanë intervenuar në gjitha akset rrugore që i përkasin qytetit dhe malësisë së Sharrit konkretisht në rrugën Shipkovicë – Brodec – Sellcë – Llacë dhe rrugën që shpie për në Xhermë. Apelojmë te qytetarët që të mos parkojnë makinat ku nuk duhet parkuar që të mundësojnë qarkullim më të lehtë të makinerisë operative" – deklaroi zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazliu.

Për dallim prej malësisë së Sharrit, rrugët kryesore në qytet rezultojnë të pastruara. Nuk vlen e njëjta edhe për rrugët dytësore.

Sa u përket trotuareve dhe pastrimit të tyre, qytetarët duhet të presin edhe ca kohë, sepse, siç dëgjuat në deklaratën e zëdhënësit të komunës, trotuaret janë venduar në plan të dytë sepse fillimisht duhet pastruar rrugët kryesore. Por këtu nuk përmenden as rrugët dytësore që rezultojnë të jenë të pa pastruara në qytet.

Nga reshjet, bllokim të rrugëve ka pasur edhe në pjesën e Gostivarit, por si pasojë e rrëshqitjes së dheut, edhe atë, në aksin nga Llakavica për në Sermnovë. Gjendje vështirë e kalueshme e rrugës nga kamera e Alsat është kapur edhe në qytetin e Strugës kurse qytetarët janë ankuar se shumë ngadalë shkon edhe pastrimi i rrugëve nëpër fshatra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat