Një delegacion i diplomatëve të Austrisë e vizituan Universitetin e Tetovës

Tetova

Një delegacion i diplomatëve të Austrisë e vizituan Universitetin e Tetovës

Më: 10 mars 2018 Në ora: 17:52
Pamje nga takimi

Përfaqësues të Ministrisë për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë, së bashku me ambasadorët rajonalë të Austrisë për shtetet e Ballkanit, sot e vizituan Universitetin e Tetovës, ku u pritën nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe ekipi i tij. Ky delegacion i diplomatëve austriakë udhëhiqej nga ambasadorja e Austrisë në Maqedoni znj. Renate Koblber dhe udhëheqësi i sektorit për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerim të Bashkimit Evropian në Ministrinë për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë Dr. Klaus Worfer, të shoqëruar nga drejtori i drejtorisë në këtë ministri, Dr. Thomas Muhlmann si dhe referenti i kësaj ministrie z. Oskar Benedikt. Po ashtu, në këtë takim morën pjesë: ambasadori i Austrisë në Prishtinë z. Gernot Pfandler, ambasadori i Austrisë në Sarajevë, Martin Pammer, ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Johan Sattler dhe ambasadorja e Austrisë në Podgoricë, znj. Anna Jankovic.

Fillimisht, diplomatët austriakë në takimin me Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti, u njoftuan për historikun e Universitetit të Tetovës, përfshirë kontributin dhe sakrificën e popullatës shqiptare në Maqedoni për zhvillimin e këtij institucioni, duke shtuar se Universiteti i Tetovës ka pasur ndikim të madh në zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë në Republikën e Maqedonisë. Udhëheqësi i sektorit për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerim të Bashkimit Evropian në Ministrinë për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë, Dr. Klaus Worfer, shprehi interesimin e tij për bashkëpunimin që Universiteti ynë ka ngritur me Ambasadën e Austrisë në Maqedoni dhe universitetet nga Austria. Ata po ashtu, u njoftuan për bashkëpunimin që Universiteti i Tetovës e zhvillon me Ambasadën e Austrisë në Maqedoni, ku tani më në Universitetin tonë është i hapur edhe Këndi Austriak që është një dritare e hapur miqësie mes popullit shqiptar dhe atij austriak. Gjithashtu u theksua edhe bashkëpunimi me universitetet austriake, ku në kudër të Programit Erasmus plus është bërë shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik.

Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i falënderoi diplomatët austriakë për vizitën në UT, duke shtuar se institucioni që ai e drejton, së bashku me profesorët dhe studentët janë shumë mirënjohës ndaj shtetit të Austrisë dhe ambasadës së saj në vendin tonë, për ndihmën e pakursyer që i japin këtij institucioni. Në këtë takim, rektori ynë kërkoi nga ata që edhe në të ardhmen të vazhdojnë ta mbështesin Universitetin e Tetovës, në rrugën për forcimin e pozicionit të tij në arenën ndërkombëtare.

Diplomatët austriakë, shprehën gatishmërinë e tyre që ta mbështesin dhe ta ndihmojnë Universitetin e Tetovës në përmbushjen e objektivave institucionale. Në përfundim të këtij takimi, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Shkëlqesisë së saj, ambasadores, Renate Koblber dhe përfaqësuesit në Ministrinë për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë, Dr. Klaus Worfer, u ndau nga një dhuratë me portretin e themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat