Në UT u mbajt Konferenca IV e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike

Tetova

Në UT u mbajt Konferenca IV e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike

Më: 30 mars 2018 Në ora: 16:44
Tetovë

Universiteti i Tetovës e organizoi Konferencën IV shkencore të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Tema boshte që trajton kjo konferencë këtë vit është  “Bashkëpunimi midis universiteteve dhe bashkëjetesa kulturore – një premisë për një platformë të qëndrueshme në të gjithë Ballkanin”. Këtë konferencë, në të cilën marrin pjesë rektorë dhe studiues të shumtë shkencorë nga të gjitha Universitetet e Ballkanit, e shpalli të hapur zyrtarisht Rektori i Universitetit të Tetovës, njëherit edhe President i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili tha se me aktivitetet e këtij niveli akademik, shkencor dhe kulturor, ne e konkretizojmë bashkëpunimin e suksesshëm, që kemi ndërtuar me institucione të arsimit të lartë, me institucionet publike dhe private, me organizatat joqeveritare, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë me shumë universitete nga vendi, rajoni dhe bota, por edhe me studiues e njohës të dëshmuar të çështjeve arsimore, shkencore e kulturore nga vendi ynë, rajoni dhe arena ndërkombëtare. “Studimet serioze, hulumtimet shkencore në Universitetin e Tetovës janë kryefjala e veprimtarisë së institucionit tonë, pjesë e rëndësishme dhe e pandashme nga aktiviteti akademik. Me qëllim të përmbushjes së nevojës për kërkime të mirëfillta, Universiteti ynë tashmë, përmes njësive akademike, përkatësisht fakulteteve, organizon aktivitete shkencore dhe kjo e pasuron dukshëm veprimtarinë e përgjithshme të arsimit të lartë. Sot, universitetet me angazhimet dhe iniciativat e tyre, gjithmonë bëjnë përpjekje dhe hapa konkretë për t’i realizuar objektivat institucionale, për edukim dhe arsimim, duke vënë në lëvizje kapacitetet kadrovike dhe për të bërë reforma në përputhje me kohën dhe realitetin bashkëkohor. Temat, debatet, opinionet e ndryshme për  problematika të ngjashme si diskutimi i sotëm dhe shpalosja e tyre para studentëve dhe komunitetit akademik, besoj se kontribuojnë në forcimin e mendimit dhe pikëpamjeve për afirmimin e bashkëjetesës kulturore në këto hapësira” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai po ashtu para auditorit, ku përveç studiuesve shkencorë, të pranishëm ishin edhe mbi 40 rektorë të Universiteteve Ballkanike shtoi se universitetet, studimet e tyre duhet t’i orientojnë në hulumtime të mirëfillta të kulturës së popujve të Ballkanit, që nuk duhet parë vetëm në këndvështrimin e ndikimeve të zakonshme gjuhësore, kulturore dhe letrare që kanë pasur kulturat e ndryshme në rajon, por rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojmë studimit të mirëfilltë shkencor të vlerave të këtij qytetërimi dhe kontributit që kanë ofruar këto kultura për gjithë historinë e njerëzimit ndër shekuj. “Fakte të ndryshme të arritjeve të kulturave të popujve të Ballkanit, me historinë e zhvillimit të tyre ndër shekuj, janë njëkohësisht shembull për koekzistencën e kulturave të tjera, në regjione të ndryshme të botës, si një djep i qytetërimit, si kryqëzim civilizimesh, si edhe shembull më i qartë i gërshetimit dhe harmonisë së kulturave dhe besimeve. Themeluar në vitin 2014, qëllimi kryesor i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike që nga krijimi i tij mbetet të përcaktojë një vizion udhëheqës për të ardhmen përmes universiteteve, bibliotekave, qendrave kërkimore në rajonin e Ballkanit duke u bazuar në vlerat e përbashkëta globale. Materializimi i këtij vizioni bëhet përmes formimit të një rrjeti shkencor në fushat e gjuhësisë, kulturës, artit, historisë, ekonomisë, arsimit dhe sportit; organizimi i programeve të përbashkëta diplomike; hapja e arkivit të përbashkët; hapja e Institutit të Gjuhës, Kulturës dhe Qytetërimit të Popujve Ballkanikë; duke bërë projekte të përbashkëta shkencore, hulumtuese dhe inovative, duke organizuar programe shkëmbimi për stafin akademik dhe programe shkëmbimi për studentët brenda anëtarëve të BUA-së. Universiteti i Tetovës ndihet i nderuar që është anëtar me të drejta të plota i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, sikundër patëm nderin që për një vit të udhëheqim me presidencën e tij, gjatë së cilës, besoj  kemi shërbyer me dinjitet, përkushtim dhe profesionalizmin e duhur.  Ky asociacion i konsoliduar tashmë, edhe në të ardhmen do ta ketë mbështetjen e Universitetit të Tetovës  dhe bashkërisht me universitetet tjera anëtare, me idetë, pikëpamjet dhe mendimin alternativ, do ta zgjerojmë veprimtarinë e tij dhe do ta forcojmë lirinë akademike” – theksoi më tej Prof. Dr. Vulnet Ameti, Rektori i Universitetit të Tetovës.

Hapjen e punimeve të kësaj konference ndëruniversitare ballkanike me prezencën e tij e nderoi edhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi. Ai para studiuesve shkencorë u shpreh se universitetet janë djepi i dijenisë, djepi i ardhmërisë dhe janë institucionet, në të cilat determinohet vizioni për të ardhmen. “Pajtohem tërësisht me temën e konferencës, sepse me të vërtetë është esenciale që universitetet të bashkëpunojnë mes veti dhe kjo është me rëndësi edhe më të madhe nëse e marrim parasysh gjithë kontekstin ballkanik. Autonomia dhe roli i universiteteve duhet të respektohet nga pushteti dhe institucionet shtetërore, ndërsa universitetet doemos të zhvillohen në partnerë efektivë të zhvillimit global, qoftë ai në nivel vendor, rajonal apo botëror” – shtoi z. Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit.

Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, punimet e konferencës i përshëndeti zëvendësministri i këtij dikasteri, Doc. Dr. Arbër Ademi. Sipas tij, prania e madhe e mysafirëve të huaj në këtë  konferencë jep përshtypjen se ne të gjithë mendojmë dhe besojmë në fuqinë e dijes si një nga shtyllat themelore të zhvillimit shoqëror dhe rajonal dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për popujt e këtyre vendeve. “Unë besoj se edhe sot, si dhe në tri konferencat vjetore të mëparshme, do të ketë shumë konkluzione të përgjithshme në lidhje me sfidat që do t’i ndjekim në periudhën e ardhshme dhe në konferencën e ardhshme do t’i përmbledhim rezultatet pozitive. Sigurisht, besoj në kontributin e nikoqirit të kësaj konference, të përfaqësuesve të Universitetit të Tetovës – që tanimë 23 vjet paraqet shembull për një institucion të arsimit të lartë, i cili investon me përkushtim në krijimin e gjeneratave të reja dhe të suksesshme të qytetarëve akademikë dhe ka hise (pjesë) në zhvillimin e përgjithshëm të vendit dhe rajonit” – deklaroi zëvendësministri, Doc. Dr. Arbër Ademi.

Në emër të Universitetit të Tiranës, pjesëmarrësve të kësaj konference me fjalë rasti iu drejtua Rektori i këtij Universiteti, Prof. Dr. Mynyr Koni. Ai në fjalën e tij u fokusua në peshën dhe përgjegjësinë që bartin universitetet ndaj shoqërisë. “Si përfaqësues universitetesh ne bartim mbi vete dhe një barrë të madhe të përgjegjësisë për atë se çfarë do t’u trashëgojmë ne brezave të ardhshëm në Ballkan. Universitetet nuk janë godinat, ku studiojnë studentët, Universitetet nuk janë thjesht disa laboratorë. Universitetet janë element thelbësor në të gjitha shoqëritë tona me ndikim në çdo aspekt të jetës. Dhe si rrjedhojë bashkëpunimi ndërmjet universiteteve bëhet i detyrueshëm. Normalisht, secili folës në një event, ku fokus është bashkëpunimi, supozohet se duhet të thotë disa fjalë të mira, që shpesh mbeten si stampa të pandryshuara, për të theksuar nevojën e bashkëpunimit. Por, ne popujt e Ballkanit jemi dëshmitarë të asaj se ku na ka çuar mungesa e bashkëpunimit.  Në mënyrë që historia të mos na përsëritet, se po u përsërit do të vijë si një tragji-komedi, duhet që të njohim njëri-tjetrin akoma dhe më shumë. Është mungesa e kësaj mosnjohjeje që ka sjellë me radhë problematika të panumërta në rajonin tonë. Është hezitimi për të njohur, për të kuptuar, për të respektuar njëri-tjetrin. Prandaj duhen tejkaluar këto barriera. Duhet të kuptojmë se kjo larmi kulturore, gjuhësore dhe identitare është një vlerë e shtuar për Ballkanin dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë” vlerësoi Prof. Dr. Mynir Koni, Rektor i Universitetit të Tiranës.

Ndërsa Rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Skender Topi falënderoi Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametin, për angazhimin e tij që në Asociacionin e Universiteteve Ballkanike të anëtarësohen edhe shumë universitete shqipfolëse. “Dua të falënderoj Rektorët, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Prof. Dr. Erhan Tabakoglu, të cilët para dy viteve morën iniciativën që Asociacioni i Universiteteve Ballkanike të hapet në të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe anëtarësimin e shumë universiteteve shqipfolëse si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Mjekësisë, Universiteti i Shkodrës dhe Universiteti i Korçës. Shpresojmë që në të ardhmen edhe shumë universitete tjera të bëhen pjesë e këtij Asociacioni dhe në sesionet e konferencës, diskutimet që do të dalin sot, të mos i lëmë në letër, por t’i bëjmë aktive dhe t’i praktikojmë ngase Ballkani ka nevojë për ne dhe ne përmes këtyre aktiviteteve do të mund të ndikojmë dhe ta ndryshojmë historinë e Ballkanit” – vlerësoi Prof. Dr. Skender Topi, Rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” nga Elbasani.

Në hapjen zyrtare të kësaj konference pikëpamjet e tyre lidhur me  temën e konferencës dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes Universiteteve Ballkanike, i shfaqën edhe Rektori i Universitetit të Trakisë Prof. Dr. Erhan Tabakoglu dhe Prof. Dr. Ivan Ilchev – nga Universiteti i Sofias “St.Kliment Ohridski”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat