Skandali, të sëmurët me tuberkuloz dy javë pa ilaçe

Tirana

Skandali, të sëmurët me tuberkuloz dy javë pa ilaçe

Më: 25 korrik 2016 Në ora: 14:28
Sanatoriumi në Tiranë

Situata e pacientëve të infektuar me tuberkuloz është alarmante, pasi prej gati dy javësh vuajnë mungesën e medikamenteve

Në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 10 pacientë që vuajnë nga tuberkulozi, kryesisht nga tuberkulozi i mushkërive. Ndërsa, në bazë të të dhënave, në një vit numri i të sëmurëve shkon te 300 pacientë tuberkularë. Mungesa e medikamenteve fillimisht është sinjalizuar nga familjarët e pacientëve, pasi medikamentet jo vetëm që mungojnë në spitalin e Sanatoriumit, por edhe në të gjitha dispanseritë. Gjë kjo që është konfirmuar për “GSH” edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapaisyzi. 

Sipas tyre, mungesa e ilaçeve nuk ka të bëjë me mungesën e fondeve, por janë firmat ato të cilat nuk kanë interes, për shkak të fitimit të vogël, që të sjellin këto lloj ilaçesh. “Ministria e Shëndetësisë është vënë në dijeni. Janë procedurat e prokurimit që kanë sjellë vonesa. Nuk bëhet fjalë për mungesë fondi. Zgjidhja e problemit do bëhet për punë ditësh”, është deklaruar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë. 

Pacientët & ilaçet

Në tregun farmaceutik shqiptar, përfshi edhe të gjitha spitalet publike dhe dispanseritë, mungojnë ilaçet që kurojnë sëmundjen e tuberkulozit, të cilat janë Ethambutol, Rifampicin, Isoniazid dhe Pryazinamide. Këto medikamente janë kura e vetme për t’i bërë ballë kësaj sëmundjeje të rrezikshme, e cila në botë, por edhe në vendin tonë, merr mijëra jetë njerëzish. Drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapaisyzi, pasi është kontaktuar ka sqaruar arsyet e mungesës së këtyre medikamenteve.

 “Nuk është mungesë vetëm në spitalin tonë. Këto ilaçe nuk gjenden fare në Shqipëri. Firmat farmaceutike nuk janë të interesuara që t’i sjellin. Ne u lidhëm direkt me një firmë jashtë për të marrë katër ilaçet antituberkulare, kemi rënë dakord. Por ata të firmës na kërkuan një pjesë të pagesës para se të nisin ilaçet. Problemi qëndron se ka disa rregulla prokurimi; këtu është procedurë që nuk bëhet pagesa pa kaluar medikamentet. Kemi nisur shkresë në Ministri të Financave, për ta bërë me marrëveshje që do kalojnë paratë pa ardhur medikamentet, por do të bllokohen deri në momentin që neve do na vijë ngarkesa me ilaçet”, -sqaron drejtori i spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”. 

Ndërkaq, ai shprehet se kjo situatë do të gjejë zgjidhje për punë ditësh. Sa u përket pacientëve të shtruar në Sanatorium, ai ka thënë se janë 10 pacientë të shtruar në klinikat e këtij spitali të cilët janë diagnostikuar se janë të infektuar nga tuberkulozi. Tuberkulozi është një sëmundje infektive ngjitëse e shkaktuar nga mykobakteri tuberkular, mostrajtimi i të cilit sjell pasoja fatale për pacientin. Kurimi i bakterit të tuberkulozit do një kohë të gjatë, rreth 6 muaj. 

“Në Sanatorium janë 10 pacientë të shtruar. Mungesa e ilaçeve është problem, pasi nëse nuk merren rregullisht, bakteri krijon rezistencë. Më problem mungesën e ilaçeve e kemi pasur këtë javë, pasi javën e kaluar mungonin Ethambutol dhe Rifampicin, por trajtimi bëhej me Isoniazid dhe Pryazinamide. Besojmë se mungesa e ilaçeve do zgjidhet këtë javë që nis”, – theksoi drejtori i spitalit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat