Vdekja e 17-vjeçarit, Bashkia: PD po e shfrytëzon politikisht, turp

Tirana

Vdekja e 17-vjeçarit, Bashkia: PD po e shfrytëzon politikisht, turp

Më: 11 gusht 2016 Në ora: 15:05
Bashkia e Tiranës

Bashkia e Tiranës po ndjek me vëmendje hetimin e fatkeqësisë në Sharrë dhe mbështet punën e organeve ligjzbatuese të përfshira në ngjarje. Në përfundim të hetimit do të zbatojmë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim të organeve përkatëse.

Territori i landfillit në Sharrë përfshin disa hektarë sipërfaqe në periferi të Tiranes, të cilat në 4 vitet e fundit degjeneruan në një fushë-betejë për grumbulluesit e mbetjeve. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, po projekton landfillin e ri, për të rikuperuar gjendjen e mjerueshme të viteve të fundit. Deri në atë fazë, vazhdojmë t'u bëjmë thirrje qytetarëve të mos afrohen në zona të ndaluara, e ku punohet me mjete të rënda.

Por, si në çdo fatkeqësi, aksident apo çdo moment të pafat, është gjithmonë një parti e fatkeqësive historike të këtij qyteti e vendi, që mundohet të shfrytëzojë çdo situatë për përdorim e kapital politik. Kjo është e shëmtuar, vulgare dhe aspak shqiptare, si normë e si kod moral. Nëse për landfillin që Partia Demokratike e la të degjeneronte në 4 vjet, është gjetur një zgjidhje e do nisë puna, për landfillin politik të përdorimit të vdekjes si poster partie, zgjidhja duket e pamundur.

Ndërkaq, kompania publike e pastrimit e Bashkisë së Tiranës me Bashkinë e Veronës nis punë në 26 Shtator dhe ende s'ka kryer asnjë operacion në Tiranë, ndaj dhe akuzat e pabaza e kalërimi mbi vdekjen thjesht shtojnë përbuzjen për një parti që as pastrim nuk bëri, as landfill nuk zgjidhi e asnjë orë pune nuk kreu për qytetin e Tiranës.

Qytetarët e dinë mirë se Tirana ka humbur boll nga një forcë politike e cila e la në një gjendje katastrofike. Partia Demokratike i përket së shkuarës së Tiranës tonë, të cilën prej një viti e kemi kthyer në punë, e po merr jetë me investime e projekte konkrete në çdo lagje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat