Tirana dhe Shkupi firmosin marrëveshje binjakëzimi

Tirana

Tirana dhe Shkupi firmosin marrëveshje binjakëzimi

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 15:06
Koce Trajanovski dhe Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim homologun e tij të Shkupit, Koce Trajanovski. Dy krerët e bashkive diskutuan mbi sfidat e zhvillimit dhe të mirëqeverisjes me të cilat përballen sot Bashkia e Tiranës dhe ajo e Shkupit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, e njohu homologun maqedonas me disa nga projektet madhore që po zbatohen në Tiranë, si dhe për reformat që janë ndërmarrë, si në aspektin e pastrimit të qytetit, menaxhimit të parkingjeve, por edhe shtimin e gjelbërimit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit. Veliaj dhe Trajanovski folën edhe për mundësitë konkrete se si dy bashkitë mund të bashkëpunojnë përmes shkëmbimit të eksperiencave mes dy stafeve për të rritur shërbimet dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre në fusha të tilla si infrastruktura, transporti, zhvillimi ekonomik etj. 

Gjatë takimit, ata nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit dhe binjakëzimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Shkupit, e cila angazhon të dyja administratat që të bashkëpunojnë në projekte dhe fusha të caktuara. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se kjo vizitë shënon edhe një fillim të ri për dy qytetet, Tiranën dhe Shkupin dhe është një moment historik për t’i afruar qytetarët më pranë me njëri-tjetrin. Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Koce Trajanovski falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen, ndërsa shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe binjakëzimin mes dy qyteteve, si një nga dokumentet më të larta për qeveritë vendore të dy vendeve tona. Delegacioni maqedonas u njoh edhe në terren me projektet kryesore që po zhvillohen në Tiranë.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat