Veliaj: Më 13 nëntor, aksion masiv pastrimi

Tirana

Veliaj: Më 13 nëntor, aksion masiv pastrimi

Më: 5 nëntor 2016 Në ora: 13:11
Erion Veliaj

Më 13 nëntor në Tiranë do të zhvillohet një tjetër aksion masiv pastrimit, bëri të ditur kreu i bashkisë, Erion Veliaj.

“Dua të ftoj qytetarët e Kasharit, Yzberishtit dhe të gjithë Tiranës, që të na bashkohen në datën 13 nëntor për aksionin e pastrimit të qytetit. Është bukur të protestojmë për gjithçka, por është akoma më bukur që të japim me shembullin tonë mesazhin që besojmë tek ato që themi. Pra, nuk jemi këtu vetëm për të kërkuar pastërti, por që të pastrojmë të parët. U kërkoj të gjithë qytetarëve që të na bashkohen, sidomos këtu në Kashar dhe në Yzberisht, ku ka shumë nevojë, por edhe në të gjitha zonat e Tiranës ku bashkia po bën një punë cilësore. Është e rëndësishme që të gjithë të japim një dorë”, deklaroi ai.

Veliaj ka marrë pjesë në nisjen e punimeve për krijimin e një tjetër shesh pushimi e kënd lojërash në Yzberisht, pjesë e njësisë administrative të Kasharit. 

“Sapo kemi nisur punën për këndin e dytë më të madh të lojërave, pas atij te Liqeni, me shpresë se këtu do të na lejojnë të punojmë, për të pasur një hapësirë të mrekullueshme për fëmijët, por edhe për gjyshet, gjyshërit dhe prindërit. Sigurisht, ky investim, përveç se është një investim direkt për fëmijët, me këndin e lodrave dhe hapësirat sportive, por vjen edhe si një sinjalizim i investimeve që do të vijojmë në Yzberisht”, theksoi Veliaj. 

Kryebashkiaku i Tiranës tha se investimet në këtë zonë kanë nisur fillimisht me sigurimin e ujit të pijshëm, i cili ka qenë një nga problemet madhore të zonës për vite me radhë, për të vijuar me tej me investimet në urbanistikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat